‘’Lajmësi nuk preket”, ky ka qenë një nga togfjalëshet më të përdorura sot, pas sulmit me armë në banesën e gazetares Klodiana Lala.
10 plumba në drejtim të banesës së prindërve të saj, si një mesazh që dikush ishte prekur nga puna e gazetares, që në misionin e saj ka dhe do të ketë përafrimin me të vërtetën.
Shumë persona e kanë cilësuar sulmin ndaj familjarëve të gazetares Lala si sulmin më të egër të këtyre 30 viteve posttranzicion, dhe jo me pak të drejtë pasi në momentin e sulmit kanë qenë brenda tetë anëtarët e familjes së saj, mes tyre dhe vajzat e mitura, motra, vëllai dhe prindërit.
Nga politika kërkohet heshtje, deri në momentin kur të gjenden dhe të vihen para drejtësisë autorët. Po rasti i Klodiana Lalës është një nga të shumtët në Shqipërinë tonë të rrëmujshme kur gazetarëve iu duhet të bëjnë hera herës kompromise, pse jo dhe të lënë detyrën, në interes të mirëqenies së vetes dhe familjarëve të tyre.
Dhuna dhe sulmet ndaj gazetarëve që denoncuan me shkrime e fakte qeveri të ndryshme datojnë që me përpjekjet e para për të bërë media dhe gazetari në vendin tonë, teksa kujtojmë se në vitin 1997 e gjithë redaksia e gazetës Koha Jonë u përfshi nga flakët, ndërsa mes tyre ka pasur dhe një reporter të dëmtuar rëndë.
Rastet më flagrante
Më 3 mars 1997, natën kur gazeta “Koha Jonë” digjet, Zamir Dule ndodhej në gazetë, ai po flinte aty dhe ishte dëshmitari i asaj çfarë ndodhi.
Atë e rrahën barbarisht atë natë. Askush nuk mori përgjegjësi për ngjarjen. Pas kësaj, nuk rikthehet në gazetë, por në vendlindje, në fshatin Miras të Korçës, duke hequr përgjithnjë dorë nga profesioni i tij, dhe në një gjendje të rënduar emocionale.
Qeveria Nano, i akordoi një pension të veçantë. Shumë gazetarë shkruan opinione për Zamir Dulen, por askush nuk realizoi intervistë me të, pasi ai kurrë nuk pranoi te flasë.
Zamir Dule
Një tjetër gazetar që ka njohur dhunën teksa ishte në krye të detyrës ishte Gerti Xhaja. Ai u keqtrajtua nga disa policë në një lokal të familjes së tij në qytetin e Lushnjes vetëm sepse kërkoi të fotografonte uniformat blu.
Ata, mëgjithëse kanë mësuar se ishte gazetar, e kanë goditur disa herë, pas tij edhe të atin, dhe e kanë marrë në furgonin e tyre duke e çuar në qelitë e Komisariatit. Gjatë gjithë kësaj kohe, si në makinë ashtu dhe në qeli ka vazhduar keqtrajtimi i tij.
Menjëherë për këtë incident ka ndërhyrë asokohe dhe minisri i Brendshëm Sokol Olldashi. Xhaja është nxjerrë nga qelitë ndërsa në Lushnje janë nisur inspekorët e Kontrollit të Bendshëm të ministrisë. Po pas kësaj vetë gazetari ka zgjedhur të largohet jashtë vendit, në kërkim të një jete më të qetë.
Gerti Xhaja
Një tjetër rast flagrant dhune ka qenë dhe ai ndaj gazetarit Mero Baze, fotot me gjak të të cilit vijojnë të përdoren edhe sot në disa portale. Baze deklaroi në atë kohë se ishte sulmuar nga biznesmeni i njohur Rezart Taçi dhe sigurimi i tij, gjë të cilën e konfirmuan edhe dy kolegë, të cilit ishin ulur me gazetarin e rrahur, po pavarësisht kësaj çështja mbeti në vendnumëro. Po ky nuk ishte rasti i parë i agresionit ndaj Bazës. Në gusht të vitit 2005 ai u rrah nga Gjolek Malaj dhe disa persona të tjerë derisa përfundoi në spital për shkak të plagëve të shumta.
Mero Baze
Ndërkohë që të gjithë e mbajmë mend gazetarin Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në protestat e përgjakshme të 21 Janarit, ku vdiqën 4 persona. Pak kohë më vonë dhe u detyrua që të braktiste fillimisht redaksinë ku punonte e cila nuk e pasqyroi ngjarjen dhe më Shqipërinë. Ai ka përfituar azil në një shtet europian dhe hera herës ende kërkon drejtësinë në intervista për mediat.
Fatos Mahmutaj
Një rast dhune jo shumë i hershëm është ai ndaj gazetarit dhe drejtuesit të një medie, Elvi Fundo në zonën e ish-stacionit të trenit në kryeqytet, ku dy persona të maskuar i kishin bërë atij pritë dhe e rrahën duke i shkaktuar plagë të shumta.
Elvi Fundo
Dhuna ndaj gazetarëve nuk ka kursyer as ata që mbulojnë rubrika disi më ‘të lehta’ siç është sporti. Kujtojmë se dy vite më parë gazetari Eduard Ilnica, i cili pretendoi se ishte rrahur nga presidenti i klubit të Kastriotit.
‘’Pasi u largova nga lokali u drejtova për te automjeti im, por aty mu afruan disa persona dhe pa më thënë asgjë nisën të më godasin.
Njëri ndër ta ishte edhe Alban Vogli, presidenti i Kastriotit. Nuk kam pasur asnjë konflikt me ndokënd dhe nuk e di pse ndodhi kjo. Gjithçka ia kam thënë edhe policisë”, është shprehur Ilnica asokohe duke denoncuar qartë me emër dhe me mbiemër.
Eduard Ilnica
Pak ditë më parë një grup xhirimi i Top Channel u dhunuan nga përfaqësuesit e kompanisë ‘Gener 2’, pasi ishin duke filmuar te kantierët e hapur për hidrocentralet në zonën e Valbonës, ku ka një vendim gjykate për të ndërprerë punimet, vendim i cili nuk është zbatuar nga ana e kompanisë.
Sigurisht që faktorët e dhunës së vazhdueshme, të asaj që duket edhe nuk duket janë të shumtë, nisin që nga sundimi i të fortëve, dhe padyshim përfundojnë te lidhjet e pronarëve me pushtetin, apo mungesa e unioneve dhe sindikatave të gazetarëve, si shumë profesione në vendin tonë.
Një tjetër rast kërcënimi me jetë është bërë publik nga gazetari Artan Hoxha ndërsa ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë të sulmit ndaj shtëpisë së gazetares Klodiana Lala. Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë duke përmendur rastet kur kolegët e tij gazetarë janë larguar nga vendi për shkak të kërcënimeve. Ai duke iu referuar Flamur Vezajt i cili është larguar nga Shqipëria dhe jeton në SHBA, tha se atij i është vënë pistoleta në kokë.
“Flamur Vezajt i vunë pistoletën në kokë. Kam qenë prezent kur kërkohej mbrojtje për Flamur Vezajn. Ai u largua në SHBA”.
Flamur Vezaj
(Elsa Kallanxhiu/FAXWEB.AL)