Një tjetër aventurë për mesfushorin shqiptar, Kamer Qaka. Pas sezonit të mbyllur me Poli Iasi, futbollisti i lindur në Pejë, sot ka firmosur kontratën e tij të re, për katër vitet e ardhshme, me opsion për dhe një vit shtesë (4+1) me skuadrën e Universitatea Craiova, që sezonin e shkuar e mbylli në vend të katërt në renditje.
Do të fitojë 10 mijë euro në muaj.
Kështu, Craiova do të luajë në turin e parë kualifikues të Europa League. Për Qakën nuk ka qenë një periudhë fort e mirë. Që pas transferimit të bujshëm te gjigantët e Steaua Bucurest, përpara një viti, për thuajse 400 mijë euro, humbi disi.
Më pas, kthimi te Iasi, teksa tashmë një aventurë e re për ish-lojtarin e kombëtares. Një mundësi edhe për të treguar veten, pasi Craiova do të luajë në Europë dhe ka përbërje të mirë. Sakaq, sipas asaj që shkruajnë mediat rumune, Iasi nuk do të përfitojë asgjë nga ky transferim, që ka kushtuar rreth 150 mijë euro.
Këto para do të përfundojnë në xhepat e familjes Beçali, duke qenë se Iasi i kishte para borxh Steaua Bucurestit.