21 maj- Dy vëllezër të vrarë brenda dy muajsh në Kavajë. Mbasditen e sotme, në një lokal në hyrje të qytetit u ekzekutua me një plumb në kokë 48-vjeçari Arian Gosa.
Ngjarja e rëndë ndodhi në prani të babait të tij Osman Gosa, i cili duket dhe në pamjet e mëposhtme teksa afrohet tek i biri, pasi autori, 31-vjeçari Habib Rexha ka kryer krimin.
Për sa i përket viktimës ai është me precedent të mëparshëm penal, ndërsa dyshohet se hakmarrja është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet.
Policia është në kërkim të tij, sakaq mësohet se është larguar në këmbë dhe ka humbur gjurmët.
Njoftimi i Policisë: Kavajë/Informacion paraprak
Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.
Si ndodhi vrasja- Arian Gosa 48 vjeç, ishte me të atin duke konsumuar kafe në lokalin që ndodhet në lagjen nr 1, në hyrje të Kavajës.
Në këtë moment, autori i dyshuar si Habib Rexha i veshur sportiv dhe me një kapele është afruar në tavolinë dhe e ka qëlluar me një plumb pistolete në koke të ndierin e më pas është larguar në këmbë duke humbur gjurmët.
29 mars- Kjo është vrasja e dytë që ndodh në familjen Gosa. Më datën 29 mars ka mbetur i vrarë Armand Gosa (Edmond gosa) në një lokal në qendër të qytetit. Për shkak të një konflikti, dy qytetarët, Armand Gosa nga Kavaja dhe Sali Rexha nga Kukësi kanë mbetur të vrarë, pasi kanë sulmuar njëri-tjetrin. Rexha ka qëlluar me armë drejt Gosës, ndërsa ai e ka sulmuar me thikë.
Armand Gosa njihej në zonë si konsumator alkooli. Sipas informacioneve është mësuar se ai ka qenë në gjendje të dehur, kur ka sulmuar me thikë Sali Rexhën. Ndërsa ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri Gosën. Sipas burimeve dy viktimat kanë pasur një konflikt mes tyre edhe disa ditë para ngjarjes.
Rexha ishte me fëmijën e tij të mitur kur është sulmuar nga Gosa, i cili dyshohet se ishte i dehur. E gjithë ngjarja është parë nga fëmija e Sali Rexhës.
Ata u takuan në një lokal ku fillimisht kanë debatuar me fjalë dhe më pas, Gosa e ka qëlluar me thikë Rexhën ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë zjarri. Janë sqaruar, por me tone të larta janë larguar.
Në momentin ku Rexha ka qenë duke hyrë në automjet, Gosa e ka qëlluar me thikë ndërkohë që Rexha i është kundërpërgjigjur 3 herë me armë zjarri. Rexha ka vdekur në vend ndërsa Gosa ka lëvizur rreth 30 metra dhe më pas është rrëzuar.
Nga verifikimet e sakta të kryera nga grupi hetimor, pas gjetjes së dokumenteve të identifikimit, shtetasi Altin Rexha e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Sali Rexha, gjithashtu dhe Edmond Gosa e ka ndërruar emrin e tij në Armand Gosa.
Kavajë/Informacion paraprak
Më datë 29.03.2023, në Kavajë, tek kryqëzimi i valutës, ka ndodhur një konflikt midis dy shtetasve, ku shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Altin Rexha, 43 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur me armë zjarri shtetasin Edmond Gosa.
Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve paraprake në vendngjarje, do të kemi një informacion vijues.
Detaje: Arian dhe Armand Gosa, kanë qenë të përfshirë në një konflikt në vitin 2012.
Së bashku kanë goditur me thikë të ndjerin Gentian Gjuzi.
Pas sulmeve të tyre, 41-vjeçari Mentor alias Gentjan Gjuzi, babai i dy fëmijëve ka humbur jetën disa muaj më vonë në spital.
Pjesë nga dosja e Prokurorisë për ngjarjen e vitit 2012: Më datë 20.11.2012, ora 09.45 minuta në Lagjen Nr.2, Kavajë, dy vëllezërit Arian Gosa dhe Armand Gosa, pas një grindjeje që njeri prej tyre dhe pikërisht i arrestuari Arian Gosa kishte patur një ditë më parë me të dëmtuarin Gentian Gjuzi për motive të dobëta rrugaçërie, janë konfrontuar përsëri me këtë shtetas, në momentin kur ai po dilte nga dyqani i shtetasit Julian Karriqi. Në grindje e sipër, sipas deklarimeve të dëshmitarëve okular, të dy vëllezërit Arian dhe Armand Gosa kanë nxjerrë të dy nga një thikë nga xhepat e xhupave të tyre dhe me to kanë goditur të dëmtuarin Gentian Gjuzi në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën.
Identifikimi i autorit: Rreth 4 orë pas ngjarjes së rëndë, ku Arian Gosa u ekzekutua me një plumb në kokë, është zbuluar identiteti i autorit. Habib Rexha, vëllai i Altin Rexhës, dyshohet si autor i vrasjes, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë.
Policia ka vendosur një shpërblim prej 10 eurosh për këdo që jep informacione të cilat çojnë në kapjen e autorit, sikurse ka vënë në dispozicion dhe numrin e telefonit.
Njoftimi i Policisë: Kavajë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në një lokal, në Kavajë.
Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. G.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit A. G., i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.
Dëshmia e Osman Gosës: Babai i të ndjerit Arian Gosa, ka treguar detajet nga vrasja e të birit më datë 21 maj, ku ai vetë ka qenë i pranishëm. Osman Gosa është shprehur që pas vrasjes së Sali Rexhës dhe Armand Gosës më 29 mars, nuk kanë pritur që ngjarja të vazhdonte, duke qenë se ata u vranë të dy.
Osman Gosa: Ne nuk mendonim se ngjarja e marsit do të vazhdonte. Në ngjarjen e parë, vdiqën të dy. Nuk kishte pse të vazhdonte me kjo histori. Neve nuk ruheshim, pasi s’na shkonte ndër mend që familja Rexha do te vazhdonte.
Babai i Arianit, ka treguar që ky i ndjeri ishte kthyer nga Italia vetëm pak ditë më parë dhe në momentin kur ka ndodhur krimi, ata kanë qenë duke parë ndeshjen Napoli-Interi.
I shokuar, ai ka parë të birin të shtrirë në karrige, për të cilin thotë se ka humbur jetën menjëherë.
Djali im Ariani pak ditë me parë kishte ardhur nga Italia, pasi jetonte atje. Dolëm te pinim kafe dhe të ndiqnim ndeshjen Napoli-Inter. Ishim ulur të ajo tavolina aty, pasi konsumonim cigare dhe ishim kthyer me shpinë nga rruga dhe po shikonim ndeshjen. Nuk e pamë fare. Vetëm kur plasi arma. Ktheva kokën dhe pash që Ariani u këput dhe pash një person që doli me vrap. U shokova kur pashë tim bir të goditur në kokë. S’kishte asnjë shprese, humbi jetën menjëherë. Nuk di çfarë të them me shumë.
Vetëdorëzimi: Habib Rexha, 31-vjeçari i cili vrau Arian Gosën dy ditë më parë në qytetin e Kavajës, u vetëdorëzua në datën 23 maj në polici. Gosa kishte filmuar dhe një video ku shfaqej së bashku me të atin dhe tregonte që do të dorëzohej në komisariat me dëshirën e tij, pas kërkesës së të atit. Rexha ka dëshmuar në polici se më datën 21 maj, ai ka qenë rastësisht në zonën ku ka qenë dhe 48-vjeçari Gosa.
Autori ka qenë së bashku me një shok, për të cilin ka thënë se nuk ka pasur dijeni mbi situatën, por pasi ka vërejtur Arian Gosën me të atin, kanë parkuar makinën dhe është nisur drejt lokalit dhe në gjaknxehtësi ka kryer krimin.
Habib Rexha: Isha përballë kafenesë, në një kancelari, kur kam parë Arian Gosën në kafene me babain e tij. U largova 300-400 metra, parkova makinën dhe u nisa në drejtim të lokalit në këmbë. Nuk isha duke e ruajtur. E pashë rastësisht dhe veprova nga gjaknxehtësia. Krimin e kreva pa e menduar, e pashë dhe e vrava. Në makinë isha me një shokun tim.
Më pas, Rexha tregon që është larguar fillimisht drejt Durrësit dhe pastaj në Kukës.
Dhe po me shokun jam larguar në fillim drejt Durrësit e më pas në Kukës. Vendosa të vetëdorëzohesha me kërkesë të babait tim në bashkëpunim me policinë.
(Xh.H/FaxWeb.al)