Diploma e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë-Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, është kthyer në një nga temat më të përfolura të kësaj fushate, ku dhe shpeshëherë ka rrëmbyer dhe zhvendosur vëmendjen mediatike nga fushata tek kandidati.
Belind Këlliçi, mes zhvillimit të kësaj fushate, u vu në qendër komenteve që aulduan se ai nuk ka diplomë të shkollës së mesme, dhe se ka mashtruar universitetin në SHBA për t’u regjistruar.
Edhe pse është përfolur shumë, pritja ka marrë fund, pasi vetë universiteti në Amerikë ka reaguar lidhur me këtë çështje. Por mes gjithë këtyre aludimeve, Universiteti Coppin, ka hedhur pak dritë, duke rrëzuar këto pretendime.
Universiteti amerikan bën me dije se nga arkivat dhe regjistrat e vetë, Këlliçi është regjistruar në semestrin e vjeshtës së vitit 2005 dhe është diplomuar për Shkenca Menaxhimi në dhjetor të 2008-ës.
Universiteti Coppin, në përgjigjen për “Faktoje.al” deklaron se Këlliçi është diplomuar si student i shkëlqyer me rezultate ekselente.
“Sipas të dhënave tona, Belind Këlliçi hyri në Universitetin Coppin në semestrin e vjeshtës së vitit 2005 dhe u diplomua në nivelin Bachelor për Shkenca Menaxhimi në dhjetor 2008. Ai u diplomua me vlerësimin më të lartë “Summa Cum Laude”, që merret nga studentët që fitojnë të paktën 48 orë kredite në universitet dhe një mesatare kumulative të notave midis 3.75 dhe 4 në të gjitha lëndët universitare”, thuhet në reagimin e Universitetit Coppin, Maryland, SHBA.