Irani i ka bërë të qartë Omanit dhe Katarit se nuk do të angazhohet në negociata me Shtetet e Bashkuara për sa kohë që qytetet iraniane “mbeten nën sulm” nga Izraeli dhe derisa përgjigjja e Teheranit të konsiderohet e plotë, tha një diplomat rajonal për CNN.
Sipas diplomatëve, raportet mediatike që pretendojnë se Irani ka kërkuar ndërmjetësimin e Omanit dhe Katarit për të siguruar një armëpushim me Izraelin dhe për të rifilluar bisedimet bërthamore “janë të pasakta”.
Diplomati nuk dha detaje se kur Irani planifikon të përfundojë hakmarrjen e tij.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, deklaroi gjatë fundjavës se raundi i gjashtë i negociatave midis Teheranit dhe Uashingtonit, i planifikuar për dje, është anuluar, por theksoi se “diplomacia dhe dialogu mbeten e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”.
Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve e Omanit raportoi sot se presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i tha Sulltanit të Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, në një bisedë telefonike se ai “mbështet zgjidhjet diplomatike përmes dialogut dhe negociatave”.
Të shtunën, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se negociatat me Shtetet e Bashkuara janë “të pajustifikueshme” për shkak të sulmeve izraelite ndaj qyteteve iraniane.