Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në garën ‘World Judo Masters’ që po mbahet në Kuds të Izraelit.
Siç njoftoi Federata e Xhudos në Kosovë, Krasniqi e ka mposhtur në finale britaniken Chelsie Giles në kategorinë deri në 52 kilogramë duke fituar 1.800 pikë olimpike në ranglistën botërore.
Krasniqi ndaj Giles realizoi herët aksion për ‘wazari’, ndërsa më pas e kontrolloi luftën deri në fitore.
Distria në xhiron e parë ishte e lirë, më pas në xhiron e dytë e kaloi amerikanen Angelica Delgado. Me fitore ndaj spanjolles Ana Perez Box zuri vend në gjysmëfinale dhe në gjysmëfinale ishte më e mirë se hungarezja Reka Pupp, për ta mbyllur më pas edhe me fitoren e fundit që ja siguroi asaj medaljen e artë.
Xhudistja kosovare ka fituar disa medalje gjatë këtij viti, ndër të cilat tre medalje të arta, një në Grand Prix të Portugalisë, një në Grand Slam të Tbilisit dhe një në Lojërat Mesdhetare në Oran.
Aktualisht Krasniqi është e shtata në ranglistën botërore të xhudos, por pritet të përparojë për disa pozita, pas suksesit në Kuds.
Ekipi kosovar po merr pjesë me katër garuese në garën e madhe Masters, me Krasniqin, Nora Gjakovën, Laura Fazliun dhe Loriana Kukajn. Në këtë garë prestigjioze marrin pjesë 58 shtete dhe 367 garues.