Barrikadat e vendosura në veri të Mitrovicës prej gjashtëmbëdhjetë ditësh po vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara.
Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë – Leposaviç me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.
Po ashtu, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e qetë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para tre ditësh ka ritheksuar nga Mitrovica se policia ka kapacitete dhe është e gatshme t’i largojë barrikadat, mirëpo, është në pritje të një përgjigjeje nga KFOR-i, andaj akoma nuk është vendosur për diçka të tillë.