Sot është dita e 3-të e të martave të shenjta në kishën e Laçit. Për këtë vend të shenjtë për besimtarët katolikë, por jo vetëm, numri i madh i vizitorëve nuk është diçka e pazakontë, por në ditët e 13 të martave të shenjta, kisha mbushet më plot se kurdoherë.
Kisha e Shën Ndoit e cila ngrihet në grykën e malit të qytetit të Laçit e ka nisur ritin e saj për të pritur besimtarët që prej tre javësh, dhe çdo e martë deri më 13 qershor kur është dhe dita e përkujtimit të Shën Ndoit, cilësohet si një ditë e shenjtë.
Gjatë kësaj periudhe, kisha mbushet plot me njerëz nga ora 00.00 e të martës së parë, deri në 00.00 të ditës tjetër, pas të martës së fundit.
Besimtarët jo vetëm katolikë, por edhe ndjekës të besimeve të tjera fetare, besojnë se kjo kishë ka fuqinë të realizojë mrekulli. Shumë qytetarë tregojnë histori të pabesueshme, të njerëzve të cilët vuanin nga sëmundje të pashërueshme, por që kanë shpëtuar pikërisht falë besimit në këtë kishë.
Ata që i ndjekin me përpikmëri ritualet, e vizitojnë kishën e Shën Ndoit të 13-të të martat, mirëpo sipas tyre: “mirë është që të vish 3 të marta njëra pas tjetrës”. Madje nëse ke bërë dy të marta rresht, të martën e tretë e ke me detyrim të shkosh sërish në këtë kishë, pasi në të kundërt diçka e keqe mund të ndodhë.
Historitë mbi fuqinë shëruese të Shën Ndoit janë të panumërta, por pavarësisht frymës pozitive, pamje rrënqethëse dhe “migjeniane” të shfaqen, gjatë rrugës që të çon në Kishën e Laçit. Kjo pasi dhjetëra persona zgjasin duart duke kërkuar lëmoshë, ndërkohë që një pjese të madhe të tyre i mungojnë një pjesë e gjymtyrëve.
Por pavarësisht kësaj, kisha e Laçit njihet si kisha e “mrekullive” ku vit pas viti, qindra njerëz, jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj, i bashkohen pelegrinimit për të prekur “gjurmët” e të shenjtit ose për të gjetur “mrekullinë” që mungon në jetët e tyre. (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1560″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]