“Nënat dhe motrat shqiptare janë më të persekutuarat në këtë regjim”.
Kështu është shprehur nga Fieri kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, teksa ka theksuar se manovrat politike të mazhorancës për të mbrojtur personat përgjegjës për shumë afera, kane penalizuar edhe amnistinë duke bërë që në këtë ditë ndërkombëtare të gruas të mos përfitojnë prej saj as femrat e as meshkujt e dënuar.
Ndërkohë i pyetur për çështjen “Berisha”, Meta është shprehur se i qëndron deklaratave të mëparshme se shtyrja e seancave është një çështje tërësisht politike e urdhëruar nga Rama, me qëllim izolimin e ish-kryeministrit dhe përçarjen e opozitës.
Ndërsa përsa i përket votës së emigrantëve, Meta është shprehur se Partia e Lirisë do të bëjë të gjitha përpjekjet për të mundësuar këtë të drejtë të mohuar të emigrantëve.
Këto deklarata Meta i bëri për mediat pas një takimi të organizuar me strukturat e partisë në qarkun e Fierit.