Vendet anëtare të NATOS kanë nënshkruar sot protokollin që do t’i hapë dyert Maqedonisë së Veriut që të bëhet vendi i 30-të i aleancës ushtarake.
Nënshkrimi i këtij protokolli vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndryshimin e emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes e cila u zhvillua në selinë e NATO-s në Bruksel. Pasi Marrëveshja e Prespës ka kaluar në parlamentin grek, topi tashmë është hedhur në portën e Brukselit dhe vendeve anëtare të NATO-s.
Pas nënshkrimit të protokollit, Maqedonia e Veriut nuk është anëtare, por do të ketë ulëse në tavolinën e përbashkët të NATO-s. Që anëtarësia të formalizohet, nevojitet që të ratifikohet protokolli nga të gjitha vendet anëtare.
Siç parashikohet në Marrëveshjen e Prespës, fillimisht këtë duhet ta bëjë Greqia. Përvoja me Malin e Zi tregon se duhej një vit protokolli i nënshkruar të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare.
Në rastin konkret, kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut do të bëhej anëtare në muajt shkurt – mars të vitit 2020-të. Por, në qarqet diplomatike shpesh dëgjohet se një grup i anëtarëve, në krye me SHBA-në, do të tentojnë ta përshpejtojnë procesin e ratifikimit, që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare që këtë vit. Sipas skenarëve më optimist, ndoshta në shtator ose tetor.
Discussion about this post