Administratori Gjyrezi e konfirmoi besimin e tij për trajnerin Gjoka në krye të ekipit të Vllaznisë, por nuk është ai që vendos nëse qëndron apo jo në drejtimin e ekipit shkodran. Është kryebashkiakja e Shkodrës, njëkohësisht presidentja e Vllaznisë, Voltana Ademi, ajo që vendos nëse Gjoka do të vijojë apo jo në drejtimin e Vllaznisë. Për këtë, dita e sotme pritet të jetë tepër vendimtare.
Sot pritet të zhvillohet një takim mes Gjokës dhe Ademit, aty ku me shumë mundësi do të diskutohet edhe e ardhmja e teknikut Gjoka, nëse do të vijojë të drejtojë Vllazninë apo do të largohet, ndërkohë nuk përjashtohet edhe mundësia e shkarkimit. Gjithashtu, sot do të zhvillohet edhe analiza e humbjes me Luftëtarin, ku në mbledhje pritet të marrë pjesë edhe Ademi.
Kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në përfundim të kampionatit, Vllaznia e sheh veten në pozita aspak komode. Vendi i 9-të me 33 pikë bëjnë që Vllaznia të jetë në rrezik të madh për qëndrimin në Superiore. Largimi i trajnerit Ernest Gjoka në këto momente do të vështirësonte edhe më tepër gjëndjen e skuadres shkodrane.
Discussion about this post