Pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme terroriste, kancelarja gjermane, Angela Merkel bën thirrje që Viti i Ri të nisë me optimizëm.
Në një fjalim për mediat, Merkel bën me dije se masa të reja sigurie do të merren në vitin në vazhdim.
Sipas kancelarës 2016 ishte viti i sprovave të vështira për gjermanët, të cilët janë sulmuar disa herë, në Vyrcburg, Ansbah dhe në mesin e dhjetorit në Berlin.
Merkel përmend në veçanti sulmin me kamion në Berlin, ku humbën jetën plot 12 persona.
“Është veçanërisht e hidhur dhe tejet e shëmtuar që sulmet terroriste të kryhen nga ata njerëz të cilët kanë kërkuar mbrojtje në vendin tonë.”, shprehet kancelarja e cila nënkupton faktin që kamioni drejtohej nga tuniziani Anis Amri, i cili kishte ardhur si refugjat në Gjermani.
Sipas Merkelit, me këtë „përçmohet” gatishmëria për ndihmë e gjermanëve, por edhe e atyre që „vërtet duan ndihmën tonë dhe e meritojnë atë”.
“Por në pikun e kësaj zie, unë gjej besimin tek një vendosmëri e patundur, që botës së urrejtjes të terroristëve t’i kundërvëmë humanizmin dhe unitetin tonë”, janë fjalët e kancelares e cila shton se në vitin 2017, qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të bëjë ndryshime politike apo ligjore aty ku duhet. Vetëm e vetëm që të parandalohet përsëritja e sulmeve të tilla. (D.D/Shuplaka)