Ditmir Bushati ka qenë ministër për Europën dhe Punët e Jashtme deri në fund të vitit të kaluar dhe drejtues i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, ndërsa sot është deputet dhe anëtar i kryesisë së kësaj partie.
Deklaratat e tij ndiqen me vëmendje kohët e fundit pasi tregohet mjaft i drejtëpërdrejtë dhe deri diku nuk i kursen as kritikat sa i përket çështjeve të brendshme të PS-së, por edhe të marrëdhënieve që ajo ka me opozitën.
Ditën e sotme pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Bushati ka dhënë një deklaratë për mediat ku edhe është pyetur për çështjet që u diskutuan si dhe për precedentët që kanë krijuar një debat të ashpër në politikën shqiptare e që kanë të bëjnë me Valdrin Pjetrin dhe Agim Kajmakun.
“Nuk jemi as prokuror as gjyqtar, por kemi përgjegjësinë si politikan për të pranuar rrënjët e këtij fenomeni dhe luftimin e tij. Them se ka nevojë për një reformë të thellë të partive politike”, tha Bushati, ndërsa shtoi se duhet pranuar dhe njohur ky realitet.
Deklarata e Ditmir Bushatit para gazetarëve:
Unë kam pasur mundësi për ti trajtuar brenda PS-së sepse tek e fundit jemi një familje e vetme dhe meritojnë të trajtohen brenda strukturave. Por pas asaj që ndodhi në Shkodër, duhet në reagim më agresiv, nuk është një çështje që duhet të trejtohet vetëm në mënyrë ligjore e proceduriale, tanimë kjo është një çështje që shkon përtej mureve të një organizate politike. Nuk jemi as prokuror as gjyqtar, por kemi përgjegjësinë si politikan për të pranuar rrënjët e këtij fenomeni dhe luftimin e tij. Them se ka nevojë për një reformë të thellë të partive politike. Ne na takon të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politike, të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sistemin imunitar për një jetë tjetër politike
Unë po flas vetëm për çështje që kanë adresuar. Ne jemi një familje e madhe politike dhe askush nuk ka pse ndihet i ligështuar për shkak të vendimmarjeve që ne kemi ndërmarrë në ndonjë rast, por e rëndësishme është që ne ta shfarosim këtë fenomen.
(F.GJ/FAXWEB.AL)