44-vjeçarja Fatmira Cuka, së bashku me djalin e saj Sardin 18 vjeç, humbën jetën më 26 Nëntor si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin tonë.
Bashkëshorti Bujar ishte në banesë në momentin që ndodhi tërmeti, por fatmirësisht arriti të shpëtonte. Vajza ishte tek prindërit në Tiranë dhe mundi t’i shpëtonte tragjedisë. Dhimbja është e papërshkrueshme për ta. Bujari mes lotësh tregon momentet e fundit me gruan dhe djalin dhe si arriti të dilte i gjallë, pasi pallati u shemb mbi ta.
Bujari tregon se banesa e tyre ishte shpallur e pabanueshme që pas tërmetit të 4 Korrikut të vitit 2018, por pavarësisht se ju kishin premtuar ndihmë nga ana e Bashkisë së Krujës, nuk e dhanë atë. Pa asnjë ndihmë ai detyrohet të marrë një kredi dhe të riparojë vetë dëmet. Tërmeti i 21 Shtatorit të këtij viti e prishi sërish shtëpinë, ju premtuan përsëri ndihmë, por ajo vonoi të vinte, dhe tërmeti i 26 Nëntorit shkatërroi gjithçka, duke i marrë me vete edhe nusen së bashku me djalin.
Keni qenë në banesë?
“Po në banesë brenda kam qenë..”
Kur ndodhi tërmeti?
“Po.. Unë po e nis pak më herët historinë. Historia jonë ka nis qysh në 4 korrik të 2018, ra një tërmet i fuqishëm. Edhe erdhën përfaqësues të pushtetit lokal dhe inxhinierë nga Bashkia e Krujës, se ne varemi nga Bashkia e Krujës. Erdhën, verifikuan dëmet dhe dolën në konkluzionin që në këtë shtëpi nuk do jetohet, është e pabanueshme shtëpia. Na thanë që do gjeni një ambient me qira, deri 100 metra katrorë. Unë e gjeta ambientin dhe më thanë do themi nesër kur do fillojë pagesa e qirasë, se kështu është marrë vendimi nga Bashkia. Përditë tek ajo administratorja e komunës, çfarë do bëhet dhe tha tani nuk e di, vazhdoni hyni në shtëpi se kjo nuk paguan qira më. S’pyeti njeri më, pastaj shtëpia është shkatërruar deri në Dhjetor. Mora një kredi me ca miq, mora një kredi 5 mijë Euro dhe e rregullova shtëpinë, i bëra suvatimet e reja, dyert, dritare të reja se u shkatërrua çdo gjë. Ra tërmeti në 21 Shtator, një tërmet i fuqishëm, vinë përsëri dy përfaqësues të komunës, njësisë administrative dhe na thanë këtë radhë e kemi seriozisht. Thashë me gjithë respektin që kam për juve, se ju kam bashkëfshatarë thashë, keni ardhur kot thashë. Jo tha do bëjmë diçka këtë radhë”.
Bujar çfarë nënkuptonte me seriozisht, që këtë radhë do iknit vërtet?
“Duhet të iknim vërtet, siç ikëm, siç më ikën”.
Këtë radhë premtuan se do paguanin qira?
“Do dilni nga ajo shtëpi, e kemi seriozisht. Asgjë nuk bënë, derisa ra ky tërmet dhe na shkatërroi, varrosi edhe djalin, edhe nusen time.“
Ju keni qenë në shtëpi në ato momente?
“Në shtëpi, brenda kam qenë, tek kuzhina me nusen, me djalin. Desha me dal, me ik në dhomë. Tha nusja mos na lër vetëm Bujar, hajde rri këtu me ne. Edhe unë u ula aty, nusja me djalin ishin kokë më kokë, unë vajta tek këmbët e nuses me telefon, më kishte marrë pas gjumi. Më kishte marrë gjumi aty, edhe ka rënë tërmti. Më ka thirrur: Bujar tërmet. U çova, hapa derën e kuzhinës, sa jam kthyer u shemb gjithçka. U fikën dritat, u shemb, iku pallati komplet. Unë kam mbajtur pjesën e derës, edhe jam futur poshtë derës, u shemb korridori, u shemb gjithçka, vetëm aty tek pjesa e derës sime nuk u shemb. Kam bërtitur, në emër të nuses, të djalit, por s’kam dëgjuar asnjë përgjigje. Shkova tek dera e jashtme nuk hapej, u ktheva prapë në kuzhinë duke bërtitur. Në korridor gjeta një vrimë, tek ajo vrima dola përjashta, ishte me tulla, materialet e ndërtimit që u shemb pallati, kam kaluar sipër, kam zbritur poshtë, nga kati i dytë dhe mori fund gjithçka, me shpresën se do i gjejmë gjallë. I kanë nxjerrë nga ora 5 mbasdite, nusen time ka qenë sipër djalit, sipër djalit e kanë gjetur… Çfarë të them s’kam fjalë, jam shkatërruar komplet, kam marrë fund…Shyqyr Zotit, vajzën time e kam pasur tek prindërit e mi në Tiranë, tek gjyshërit. Se po të ishte dhe kjo, do ishte bërë dhe më e rëndë tragjedia, po fati i saj që ka qenë atje dhe ma ka ruajtur Zoti. Kaq them, s’kam çfarë them.. Ata janë tallur me ne, kanë ardhur disa herë, do bëjmë diçka, do bëjmë diçka. Dosjen tonë e kanë nisur në gjendjen civile thoshin… Ne s’na besohet akoma. Më duket sikur janë nëpër oborr të dy…Kjo ka qenë një tragjedi për mua, kam parë tmerr me sy. Bile Mira akoma pa u çuar, gjysëm e çuar u shemb pallati, i ka rënë sipër. E kam parë me sytë e mi kur e mbyti Mirën, Sardin s’e pashë fare se u fikën dritat”.
Nuk dëgjoje zhurma, nuk dëgjoje kërkesë për ndihmë?
“Jo, jo kam thirrur boll, Sardi, Mira….pafund, pafund asnjë lloj përgjigjeje. Dikush thoshte që e kemi dëgjuar të thërriste: O Çim, sepse Çimi është vëllai i nuses dhe Mira ka kujtuar se kam ngelur dhe unë brenda dhe ka thirrur: O Çim, s’ka thirrur Bujar por ka thirrur: O Çim.. Me shpresën, mendoja se është gjallë por jo, e kanë gjetur Mirën sipër djalit“.