Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy ditë më parë Sindi Allushin, djalin e Saimir Allushit, i cili akuzohet për sulm ndaj një oficeri të forcave “Shqiponja”. Incidenti ka ndodhur pranë zonës së “Siri Kodrës”, ku Sindi Allushi dyshohet se është konfliktuar fizikisht me oficerin, duke e goditur dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Saimir Allushi, babai i Sindit, aktualisht kryetar i Njësisë Administrative nr. 12 në Tiranë, është një emër i njohur në sferat publike, pasi vite më parë ka mbajtur edhe postin e drejtorit të burgut 313 në kryeqytet.
Megjithatë, burime bëjnë me dije se gjatë verifikimeve të kryera për të shkuarën e tij, Saimir Allushi rezulton të jetë i dënuar, duke ngritur pikëpyetje mbi të kaluarën dhe integritetin e tij në pozitat shtetërore që ka mbajtur.
Policia po vijon hetimet për të gjetur vendndodhjen e Sindit, ndërsa ngjarja ka tërhequr vëmendje për shkak të lidhjeve të familjes Allushi me pozitat publike dhe politike.