Aktori Mishel Prela i shpëtoi një atentati mbrëmjen e së enjtes, mirëpo pak ditë më vonë nëna e tij zbulon se ai së shpejti do të bëhet baba.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Fatmira Manoku tregon se e dashura e Mishelit është shtatzënë.
“Misheli ka qenë sëmurë dhe pasi u shërua ishte pushim. Nuk po merrej me asgjë. Ka një të dashur që është shtatzënë. Pra, djali im së shpejti do të bëhet baba”, ishin fjalët e zonjës Manoku.
Më tej ajo tregon se e dashura e djalit është pronare e një hoteli, dhe bashkë kanë disa vite të lidhur.
Ndër të tjera, Fatmira Manoku tregon se çështja për të cilën donin ta vrisnin djalin e saj ishte mbyllur. Misheli e kishte paguar me burg plagosjen që kishte bërë.
Zonja Manoku shprehet se personi që pagoi 80 mijë euro për t’i vrarë djalin, e kishte plagosur edhe në 2010-n, por ai nuk e kishte denoncuar.
PJESË NGA INTERVISTA:
Çfarë konflikti ka pasur djali juaj me personin që porositi vrasjen e tij?
Historia daton në vitin 2010 pas një zënke që Misheli ka pasur me Ervin Zallumin. Zënka ka qenë “jo më pe, jo të pashë”.
Njiheshin më përpara të dy?
Absolutisht, nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Nuk kanë qenë asnjëherë shokë. Atë ditë u zunë për atë që të thashë. Janë rrahur me njëri-tjetrin. Tani dalin fjalë se në atë kohë ata janë zënë për çështje droge, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Ata nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin.
Në çfarë vendi ndodhi kjo zënkë mes tyre?
Diku te “Shkolla e Kuqe” më duket, por nuk jam e sigurt për vendin saktësisht. Nuk mbaj mend tani shumë mirë se jam e traumatizuar.
Çfarë ndodhi më pas?
Pas disa ditësh, nga kjo zënkë, sherr fizik le të themi, djali ishte në një lokal duke pirë kafe. Aty i shkon Ervin Zallumi me një biçak në dorë për t’ia ngulur djalit në zemër. Por djali ia kap dorën dhe në këtë kohë plagoset në krah. Shkon me urgjencë në spital dhe shenjën e asaj ngjarjeje e ka edhe sot e kësaj dite në krah djali im.
E denoncuat ngjarjen në Polici?
Jo, ne nuk bëmë denoncim. Pas ca kohësh pastaj, djali im shkon dhe i gjuan Ervin Zallumit, po me biçak. E rëndësishme ishte që ai shpëtoi në atë kohë.
Çfarë ndodhi pas kësaj ngjarjeje?
Deshëm të bënim paqe me familjen e tij. Na kërkuan një shumë prej 20 mijë eurosh që të mbyllej ky problem. Nuk pranuam. Ne i thamë një shumë tjetër por nuk ramë dakord. Djali im për këtë që bëri, bëri dhe tre vjet burg. E lau me burg atë që kishte bërë. Ndërsa ai nuk bëri asnjë ditë burg, sepse ne nuk e denoncuam. Meqenëse djali bëri burg, ne e dinim të mbyllur këtë hesap. Nuk na shkonte mendja kurrë që mostra Ervin Zallumi do të organizonte këtë kurth për ta vrarë djalin tim. Pastaj ndodhi kjo që ndodhi, ju e dini mirë tashmë se çfarë ka ndodhur. (D.D/Shuplaka)