Ditën e sotme dy raste të reja me Covid 19 janë zbuluar në fshatin Vele të Mirditës, pas kryerjes së analizës në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Burime bëjnë me dije se ata janë infektuar nga djali i tyre, që punon në burgun 313 në Tiranë, çka solli më pas dhe reagimin e kryeminsitrit Edi Rama.
Punonjësi i burgut, që nuk kishte pasur simptoma, kishte udhëtuar drejt Mirditës, duke vënë në rrezik jetën e prindërve të tij, gjendja e të cilëve nuk duket të jetë e mirë.
Në burgun 313 në Tiranë deri më tani rezultojnë 13 raste pozitivë, por nuk bëhet e ditur nëse janë personel burgu apo vetëm të dënuar. Megjithatë, edhe në rast se ata do të kenë komplikacione, nuk do të nxirren jashtë por do të mbahen në spitalin e burgut, duke e bërë atë të jetë Covid3.
Rama, tha se për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por nuk bëhet e ditur nëse ai e ka ditur që ishte mbartës i virusit apo jo.
”Djali me Covid19, pa simptoma, thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar. U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!!
Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?!
A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!
Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve: MOS MOS MOS!”, shkruante Rama.