Mjeku i njohur, Ilir Alimehmeti është tërhequr nga gara e Primareve të Partisë Demokratike në Tiranë. Në një dalje për mediet së bashku me Belind Këlliçin, Alimehmeti bëri të ditur se anëtarësia e dha verdiktin me votën e saj.
“Dje anëtarësia foli, foli në favor te kandidati pranë meje, Belind Këlliçi. Ju kam dalë zot, që sido që të shkonte, do isha në krah të kandidatit apo kandidates, që do gëzonte votën. Kjo është shenja e qytetarisë. Falënderoj gjithkënd që më ka mbështetur”, tha Alimehmeti.
Në votimet e djeshme, asnjëri prej kandidatëve nuk mori numrin e nevojshëm të votave për t’u shpallur fitues i garës, por Alimehmeti dhe Këlliçi shkuan në balotazh.
Gjithsesi, sot Alihemeti theksoi se nuk do të vijojë më garën për balotazh, por tha se do punojnë bashkërisht për zgjedhjet e 14 majit.
Nga ana tjetër Këlliçi tha se PD-ja do të sjellë modelin amerikan të të bërit fushatë, e ku u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve lokale të 14 majit.
“Ashtu si në Amerikë kam kënaqësinë më të madhe sot që kur i kam hyrë këtij rrugëtimi kam qenë i bindur se do ta mundja Veliajn në garën për Tiranën, me Alimehmetin si krahun tim të djathtë dhe nënkryetar të bashkisë së Tiranës që nga 14 maji ne do sjellim një model krejtësisht ndryshe”, tha Këlliçi.