Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet për një vizitë zyrtare në Romë ku është pritur nga Ministri i Jashtëm i Vatikanit, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher.
Në një postim në Facebook, Basha ka theksuar se me ministrin e Jashtëm kanë diskutuar për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria, nga situata e vështirë ekonomike tek korrupsioni. Sipas Bashës, të dhënat e fundit tregojnë se është thelluar pabarazia dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë zhytur në varfëri.
Ditën e djeshme në media qarkulluan disa foto të Bashës në avion ku u aludua për një udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës por në të vërtetë kreu i opozitës ndodhet në Itali.
Lulzim Basha:
“Kënaqësi dhe privilegj të pritesha në Romë në Shtetin e Vatikanit, nga ministri i Jashtëm, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher. Mirënjohje për rolin dhe kontributin që Vatikani ka luajtur në momente vendimtare për shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë.
Diskutuam për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria, nga situata e vështirë ekonomike tek korrupsioni që jua bën më të vështirë jetën shqiptarëve. Të dhënat e fundit tregojnë se është thelluar pabarazia dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë zhytur në varfëri.
Shpreha vullnetin tim dhe të PD për të bërë gjithçka në luftën kundër korrupsionit, një betejë jo e lehtë, por rruga e vetme për të kthyer shpresën, zhvillimin dhe mirëqenien për qytetarët tanë. Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri dhe Kosova dhe zhvillimet në rajon. Sot po bëhet gjithnjë dhe më e domosdoshme përmbyllja e marrëveshjes me njohje reciproke, për ti mbyllur rrugë çdo mundësie për destabilizim në rajon. Për këtë kam kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e Vatikanit. Duke e falenderuar shkelqësine e tij për mikpritjen, e ftova dhe shpreha urimin për ta mirëpritur në një kohë të përshtatshme në Shqipëri”