Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi po zhvillon një takim mbrëmjen e sotme me kryeministrin Edi Rama.
Takimi vjen vetëm pak orë pas vendimit të Partisë Demokratike dhe LSI për të dorëzuar mandatet e deputetëve, vendim që u kundërshtua hapur nga Ambasada Amerikane dhe Bashkimi Europian në Tiranë.
Burime për “Ora News” bëjnë me dije se në takim janë të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë.
Kujtojmë se Ambasada e SHBA-së reagoi sot me tone të forta ndaj vendimit të paprecedent të opozitës për të hequr dorë nga mandatet parlamentare të deputetëve të saj.
“Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”, thekson deklarata.
Në qëndrimin e saj ambasada gjithashtu shprehet se “Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin t’u shërbeni”.