Numri dy i qeverisë Erion Braçe ka reaguar pas djegies së mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, duke thënë se e gjitha kjo bëhet për shkak se nuk e penguan dot Reformën në Drejtësi.
“Pse digjen tani? Sepse nuk i bejne me dot asgje Reformes ne Drejtesi; As #SPAK e as #BKH, as #GjKUSHTETUESE, as #GjseLarte, te gjitha ne pune shume shpejt! Mekanizmi kushtetues #Cmonton #BllokiminngaKuvendi. Te parendesishem shume shpejt! #REFORMA E PARA #REFORMA PERPARA”, shkruan Braçe.
Vendimi për të djegur mandatet u mor sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ku u vendos të ngrihej dhe një grup pune për teknalitetet.
“Në përfundim të mbledhjes së Grupit parlamentar të PD, ju njoftoj për vendimin që grupi mori me votë unanime.
Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi, për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare, për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, eliminimit të Gjykatës Kushtetuese, kapjes totale të sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut, që ka shkaktuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, emigracionit katastrofal, duke mbëhstetur plotësisht zgjidhjen politike të afruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndarmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që do të garantojnë integrimin e vendit, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.
Grupi parlamentar i PD autorizoi kryetarin e partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statusin e PD”, u shpreh Basha pas mbledhjes.
(E.K/FAXWEB.AL)