Gazetari Artan Hoxha kërkon nga Presidenti i Republikës që të bëjë publik informacionin për planin e pretenduar për djegien e Kuvendit më 8 qershor. Në emisionin “Top Talk”, Hoxha tha se Ilir Meta ka detyrimin të bëjë publik informacionin për grupin që synonte trazirat gjatë protestës së opozitës.
“Që në atë moment më është dukur i çuditshëm dekreti i presidentit për datën e zgjedhjeve duke gjetur këtë justitifkim dhe duke mos e bërë publike. Në atë kohë i kemi kërkuar ta bëjë publike sepse është Presidenti i Repbuliës. Dhe së dyti, a i ka ndjekur ai hapat? I ka njoftuar agjencitë që janë të ngarkuara me ligj për të parandaluar situata të tilla? Sepse vërtet presidenti mund të na ketë shpëtuar në 8 qershor, por a na ka shpërtuar nga ata që donin ta bënin 8 qershorin? Ata mund të jenë të gatshëm për ta përsëritur atë situatë. Presidenti i Republikës ka të detyrimin të na shpjegojë na e ka marrë informacionin dhe sa i besueshëm është”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, për më shumë se sa një rrezik real në 8 qershor, Meta e ka përdorur situatën si një justifikim për veprim politik.
Gazetari dha informacion edhe për një grup që vinte nga Kosova gjatë protestave të opozitës dhe të cilët dyshoheshin se mund të përfshiheshin në akte dhune.
“Ka një element tjetër. Policia e Shtetit ka patur informacione për persona të infiltruar nga jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët çuditërisht vinin 48 orë përpara protestave, gjendeshin në territorin e Shqipërisë gjatë protestave dhe këta u bënë të rrezikshëm kur protestat po zhvilloheshin natën. Nuk ishin shtetas të Shqipërisë, por me kombësi shqiptare, ishin shtetas të Republikës Kosovës. Ata ishin një kontigjent i rrezikshëm. Bëhet fjalë për 10 deri në 14 persona që vinin nga një zonë që ishte në kufi me Shqipërinë dhe infromacioni ka qenë që ata mund të bëheshin aktiv në një prej këtyre protestave. Për fat të mirë ata nuk u përfshin, por as nuk u ndaluan”, sqaroi gazetari.
Presidenti Meta deklaroi edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar se ishte informuar nga institucione të sigurisë kombëtare mbi një plan për djegien e Kuvendit. Ai u shpreh i gatshëm që këtë informacion ta vinte në dispozicion të Kuvendit nëse miratohej nga institucioni i sigurisë kombëtare./TCH