Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka raportuar për disa probleme gjatë procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare.
Eugen Cakolli nga DnV tha se votuesit kanë deklaruar se ngjyra matrikuluese po fshihet lehtësisht nga gishtërinjtë e tyre dhe kjo çështje sipas tij mund t’i japë rrugë votimit të dyfishtë.
Një gjë e tillë, sipas Cakollit, “do minonte besimin e publikut, por edhe integritetin zgjedhor”.
Në konferencën për media, Cakolli tha se ka disa mekanizma që sigurohet që votuesit të mos votojnë dy herë, por theksoi se “problemi te fakti fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese mund të krijojë perceptim qytetarë procesi nuk ka qenë i rregullt dhe mund të ketë pasur raste të tilla”.
DnV-ja ditë më parë kishte reaguar për çështjen e ngjyrës matrikuluese, duke thënë se kjo ngjyrë nuk plotëson standardet e kërkuara, pasi po qëndron për një kohë të shkurtër në gisht dhe më pas e njëjta fshihet me lehtësi.
KQZ-ja në dy konferencat e mbajtura deri më tani nuk ka adresuar problemin e ngritur nga vëzhguesit sa i përket ngjyrës matrikuluese.
Gjatë konferencës, DnV-ja tha se ka vërejtur edhe probleme të tjera gjatë procesit zgjedhor, që tha se nuk dëmtojnë integritetin e zgjedhje.
Problemi më i theksuar gjatë procesit të votimit deri në mesditë, sipas Cakollit është mosgjetja e emrave të votuesve në listat e votuesve.
DnV ka 500 vëzhgues në mbarë vendin dhe Cakolli tha se janë vërejtur edhe probleme kur nuk është regjistruar që një votuesit i është ofruar asistencë me votim.
Po ashtu, ndonëse në një nivel dukshëm më të vogël, Cakolli tha se edhe në këto zgjedhje fenomeni i fotografimit të votës është prezent dhe thanë se raste të izoluara të fotografimit të votave janë regjistruar në 4 për qind të vendvotimeve.
Cakolli po ashtu u shpreh kritik për çështjen e vendosjes së kabinave të votimit. Ai tha se në mëngjes kabinat u vendosën sipas rregullave, por vëzhguesit më pas kanë hasur në raste kur persona të identifikuar si staf i KQZ-së kanë kërkuar që kabinat të vendosen përballë njëra-tjetrës, që sipas tij përbën shkelje të privatësisë.