Është arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës deputeti Milaim Zeka për kërcënimet ndaj Prokurorit Special, Afrim Shefkiu.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhrin për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, për shkak të deklaratave të tij në emisionin “DPT te Fidani” për prokurorin special, Afrim Shefkiu.
Deputeti i Nismës të hënën në Televizionin 7 ka thënë se do t’i sqarojë hesapet me prokurorin, qoftë edhe duke zbatuar Kanunin.
“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka në emisionin DPT te Fidani në T7.
Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani, të cilëve u janë marrë rreth 345 mijë e 700 euro.
(E.K/FAXWEB.AL)