Familja Tajari në zonën e 9-katësheve në Tiranë është ngujuar për shkak se në banesën e tyre kanë mbërritur sot forcat e përmbarimit.
Shkak për sekuestron e banesës së tyre është bërë një kredi e pashlyer që familja ka pasur ndaj një banke të nivelit të dytë. Një pjesë e anëtarëve të familjes janë ngujuar brenda banesës, ndërsa hyrja e pallatit është rrethuar me forca të shumta policie.
Ata kërcënojnë se do të digjen brenda, dhe se nuk e lirojnë banesën e tyre.
‘’Babain e kanë marrë në komisariat dhe shefi i thoshte liroje shtëpinë se ta jap unë shtëpinë prapë. Sot nuk të lejohet më do hyhet me dhunë. Kanë ardhur me zjarrfikëse dhe vijnë bëjnë presion dhe mbajnë dikë nga familja në komisariat, vlera e shtëpisë është 130 milion ata e kanë shitur shtëpinë për 50 milionë. Unë do të mundohem ta mbroj, ta djeg ti hedh benzinë, atyre nuk do tua lë.”, shprehet djali i familjes.
Familja pretendon se ata nuk e kanë lënë banesën si kolateral, po biznesin që kanë pasur në Lushnje, një fermë.