“Kuçovën e fitova, por ma vodhën”, është kjo deklarata e bërë nga Lefter Maliqi, në studion e Fax news, në një bisedë interesante me gazetarin Rezear Xhaxhiu.
Maliqi është i vendosur që të çojë deri në fund betejën e tij për zgjedhjet e 14 Majit, të cilat i humbi me një diferencë të vogël votash, në raport me kundërshtarin Kreshnik Hajdari, i zgjedhuri i socialistëve në Kuçovë.
Maliqi pretendon se në Kuçovë rezultati është ndikuar nga manipulimi, por edhe nga prania në Kuçovë e biznesmenit Pëllumb Salillari. Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, ka pretendime se socialistët kanë ndërhyrë në kutitë e votimit, pasi sipas tij KZAZ është mbyllur për disa orë, dhe një pjesë e ambienteve ku janë mbajtur materialet zgjedhore kanë qenë pa kamera.
“Unë i kam vënë në dijeni të gjithë se shteti ka qenë në Kuçovë, kam vënë në dijeni dhe OSBE-ODHIR, kam qenë sot në takimin e tretë me ta. Në atë Kuçovë të naftëtarëve, të nëpërkëmbur nga pushteti, i tregova narkoshtetit, se Lefter Maliqi me njerëzit e ndershëm, arriti që të thyejë atë bastion. Unë humba me 600 vota, ndërkohë që kandidati i Alibeajt mori 700 vota, edhe pse është miku im.
Në Kuçovë në javën e fundit pati vetëm makina policie, dhe makina të forcave speciale. Çuçi vuri në veprim të gjithë policinë e shtetit, ish drejtora, banditë nga jashtë Kuçovës. Lefter Maliqi ka marrë më shumë se 6 mijë vota si kandidat. I shkova oligarkut në zyrë dhe i thashë që je ti kandidati, dhe jo ai që keni vendosur në fletën e votimit.
I thashë oligarkut që Lefter Maliqi do të fitojë me njerëzit e thjeshtë, oligarku ka marrë të gjitha tenderat korruptivë të Kuçovës. 4 milionë e 200 mijë euro, janë marrë nga ky person, në një tender abuziv.
Janë kapur në supermarkete duke shpërndarë para. Në javën e fundit me urdhër politik, KESH fikte dritat, dhe në 12 të natës turreshin drejtues të PS-së për të shpërndarë, dhe kapeshin nga ana jonë. Të gjitha këto kamuflimet i bën policia, vetë ne nuk i bëjmë dot. Në Bashkinë Kuçovë vota u shit shtrenjtë, me keqardhje e them, se të gjithë janë miqtë e mi.
Policia më mori për verifikim mua dhe shoferin, edhe pse ne denoncuam me emra. Në ditën e zgjedhjeve, pa filluar numërimin KZAZ u mbyll se ikën për tu larë numëruesit. Kishte një derë që nuk e kapte kamera, ne kishim vetëm 3 numërues, 2 të tjerë i kishte Alibeaj. Një prej tavolinave nuk e kapte kamera fare, dhe çfarë ndodh? Deri në 12 të ditës unë isha para me vota, ndërkohë që në një qendër votimi në Krrëkëz, kishte 50 vota të emigrantëve. Kemi gjetur kuti votimi pa vula, në kosh, të gjitha janë të fotografuara”, u shpreh mes të tjerave Maliqi.
Sipas tij votat e pavlefshme në Kuçovë u ndanë mes kandidatit të PD-së zyrtare dhe kandidatit të PS-së.
‘E gjithë maskra është bërë në 17 kutitë e fundit të votimit’, tha më tej Maliqi, ndërsa shtoi se nuk ka besim te SPAK.