Kreu i opozitës Lulzim Basha, në protestën e sotme në çadrën e ngritur që prej 18 shkurtit, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen në protestën e 13 majit.
Basha tha se Republikën e vjetër, do ia dërgonte Muzeut Kombëtar në pavionin e turpit dhe zbuloi që të shtunën do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela dhe fëmijët.
“Miqtë tanë e dinë se rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të kalojë nga bojkoti, nuk mund të kalojë nga mospërsmarrja, por kurrë nuk mund të kalojë nga asgjësimi i garës së vërtetë, kthimi i monizmit që e shporrëm për të mos u kthyer më kurrë, nuk mundet e nuk do të kalojë nga votime farsë të diktuara nga droga dhe krimi, rruga do të kalojë nga autostrada e 13 që do të japë vulën e popullit shqiptar për zgjedghje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri, ndaj bashkohuni me mua, me familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu.
Ejani me zemrat e mbushura me besim tek e nesërma që po vjen, unë e kam parë të nesërmen e Shqipërisë, ju po e ndërtoni. Bashkë do të shembin çdo betejë, do shembim kupolën e republikës së vjetër, do ia çojmë muzeut kombëtar në pavionin e turpit.
Askush të mos mungojë në këtë moment të historisë, Shqipërisë, Europës, që do të zbresë mes frymës së zotit, ditën e shtunë këtu në këtë shesh.
Forca jonë ka qenë kauza e drejtë, interesi i qytetarëve, kjo na ka lodhur po na ka bërë më të fortë, më të pamposhtur.
Me besim të njëri tjetri, që nuk bëjmë asgjë për pushtetin dhe pasurinë tonë por pushtetin dhe mirëqenien e popullit shqiptar, askush të mos mungojë në festën e referendumit të republikës së re, zoti e bekoftë Shqipërinë, zoti i bekoftë shqiptarët.”, tha Basha sot nga çadra. (D.D/Shuplaka)