Kreu i qeverisë Edi Rama ka qenë i pranishëm në përurimin e repartit të ri të Forcave RENEA, në ceremoninë e 107-vjetorit të policisë së shtetit, ku për këtë vit premtoi një luftë më të egër dhetë fuqishme në drejtim të krimit të organizuar.
“13 janar 1913 më pak se dy muaj nga themelimi i shtetit shqiptar u formua institucioni i parë i Shqipërisë së Pavarur, Policia e Shtetit. Duhet të qërohen nga Policia e Shtetit të gjithë oficerët që nuk janë të denjë për të dhe të kalojë puna e policisë në duar të ndershme”.
Kjo ishte porosia e Ismail Qemalit në atë kohë. Është një porosi që nuk ka datë skadence, sepse të qenurit në duar të ndershme e të stërvitura është A-ja e çdo Policie Shteti dhe e kësaj tonës”, tha Rama, në nisje të fjalës së tij.
Rama foli dhe për KÇK-në, që sipas tij ka dhënë vendime skandaloze, duke vënë jo ne pak raste në rrezik sigurinë kombëtare.
“Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet pastrim i madh, rrënjësor në pallatin e drejtësisë, por koha e nevojshme për të mbaruar këtë pastrim e për të vënë në funksionim të plotë institucionet e reja të drejtësisë nuk është fort e shkurtër dhe ndërkohë në këtë fazë tranzicioni mes një sistemi që po shembet e atij që po ngrihet shoqërinë jonë po përballet me organizatën kriminale, të rrezikshme e përbërë nga prokurorë e gjykatës që e dinë se nuk e kalojnë vetingun dhe i janë bashkuar motos kap ca të kapësh, duke dhënë vendime skandaloze, në cenim të sigurisë kombëtare.
Po kolaudojmë paketën ligjore me SHBA dhe BE dhe në vijim do ta kthejnë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke zhvilluar një aktivitet agresiv në terren të policisë së shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KCK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë, dhe paralelisht do vëmë me shpatulla pas murit të cdo anëtari të KCK në prokuroria e gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që duke folur për RENEA-n, Rama tha se kjo strukturë nuk ka asgjë mangët në krahasim me struktura të ngjashme në vendet e BE-së.
“Sot më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 vjet nga formimi i Policisë së Shtetit t’iu themi të gjithë djemve të përkushtuar të RENEA-s, por edhe vajzave që janë pjesë e tyre, se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke vënë në dispozicion pas 30 vitesh këtë strukturë, që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre, ndërkohë që për 30 vite rresht të gjithë ata që janë angazhuar në RENEA kanë dhënë shembuj të panumërt përkushtimi, në një lartësi profesionale dhe morale të admirueshme, që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet.
Sot, RENEA ka në dispozicion një strukturë, që është në çdo aspekt e ngjashme në çdo standard me strukturat e Forcave Policore të Elitës në vendet evropiane. RENEA u themelua me një akt të posaçëm më 12 shtator të 1991, në një moment kur diktatura e kishte marrë tatëpjetën dhe pushteti i saj kishte rrëshqitur.
Detyra e parë e atij grupi ishte të përndiqte grupet e supozuara anti-regjim, ndërsa përgjatë viteve 80’ detyra e tyre ishte të parandalonte çdo mundësi revolte kundër regjimit nëpër stadiume. Sot, jemi në një botë tërësisht tjetër dhe me sfida, qëllime e mundësi tërësisht të tjera.
Nëse sot kemi këtu një strukturë moderne për forcat e RENEA-s, që nuk ka asgjë të mangët në aspektin e kushteve krahasuar me strukturat e ngjashme në vendet e BE, deri një dekadë më parë kishim një repart ushtarak, që në shkurt, mars të 1997 përgatitej të sulmonte në jug.
Nuk ishte 100 vjet më parë, por 20 vjet më parë, dhe nëse krahasimet me të shkuarën janë tronditëse, sot është koha për t’u matur me të ardhmen”, deklaroi Rama.
(E.K/Faxweb.al)