Agim Kollçaku, Hornito Martini dhe Petrit Lipo janë tre ish të dënuar politikë të regjimit komunist, të cilët prej katër ditësh kanë ngritur një çadër greve në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Ata kërkojnë që qeveria t’u njohë vitet e burgut politik dhe t’i fusë në listat e dëmshpërblimit.
Për t’i dhënë tone serioze kërkesës së tyre, ata e kanë ngritur çadrën pikërisht në vendin ku u vetëflijua duke u djegur pak vite më parë, Lirak Bejko.
Po pse janë në grevë tre ish të përndjekurit prej katër ditësh?
Në revoltën e njohur të Qafë Brarit në vitin 1984, ndër shumë ndëshkime të tjera, tre personat që janë prej katër ditësh në grevë, u cilësuan si terroristë, duke ua tjetërsuar dënimin.
Ndërkohë që në janar të këtij viti, Ministria e Financave njoftoi se do t’i kalonte Kuvendit kërkesën për ndryshimin e ligjit mbi dëmshpërblimet për ish të përndjekurit.
Ajo i bëri kërkesë qeverisë që të ulte numrin e të dëmshpërblyerve në vetëm ata që kanë vuajtuar dënimet e që janë gjallë dhe të përjashtoheshin trashëgimtarët e tyre.
Në një aplikim eventual, kjo do të sjellë ulje të ndjeshme të personave që përfitojnë dëmshpërblim si ish të përndjekur politikë të komunizmit.
Tre ish të përndjekurit kanë bërë njoftuar për masivizim të grevës dhe i kanë bërë thirrje qeverisë të ulet e të negociojë me kërkesat e tyre për t’i futur në listat e dëmshpërblimit.
“Nuk na janë përmbushur as 20% e kërkesave”, – u shpreh njëri prej tyre për kamerën e Fax Neës
“Do të digjemi! Pse kemi frikë nga komunistët ne?”
Tre grevistët thanë se kanë patur edhe kërcënime nga persona të panjohur të cilët u kanë thënë se “do t’i djegin si minj”.
Gjatë orëve të mbrëmjes, tre ish-të përndjekurit patën edhe përplasje me Policinë, e cila ka kërkuar që ata ta largojnë çadrën e grevës.
(E.L./Faxweb)