Është kërcënuar nga persona ende të paidentifikuar kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri dhe familja e tij. Familja e kreut të KQZ-së është marrë në mbrojtje nga policia e shtetit dhe garda.
Duket se pas debateve në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, ku Zguri kërkoi nisjen e hetimit administrativ për zgjedhjet, në drejtimin e tij dhe të familjes kanë ardhur kërcënime serioze për jetën.
Faxweb.al mëson se dje Zgurit i ka mbërritur në Facebook një sms nga E.P. me përmbajtjen “o m…. do te vras familjen”
Pas kësaj kreu i KQZ-së ka njoftuar policinë. Nga verifikimet paraprake personi me atë emër në fb rezulton në kërkim policor dhe duke vlerësuar rrezikshmërinë nëse profili i FB është i personit të dyshuar, policia dhe garda i kanë shtuar mbrojtjen (pasi në mbrojtje ishte që prej 10 qeshorit si gjithë anëtarët e tjerë të KQZ).
I pyetur për këtë cështje, Zguri tha: pyesni autoritetet.
Mësohet se drejtuesit e lartë të Gardës dhe Policisë kanë shkuar sot në Institucionin Qendror të Zgjedhjeve, ku aktualisht mbahet në ruajtje kreu i KQZ-së.
Zguri ka mbajtur qëndrim të fortë për mosrealizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke u shprehur vazhdimisht se ai ka qenë për zbatimin e dekretit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post