Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, ka thënë të mërkurën se është shumë e rëndësishme që të ulen tensionet në Kosovë, dhe që të dyja palët të përmbahen nga dhuna.
Siç raportojnë mediat Stoltenberg i ka bërë këto deklarata pas një takimi që e ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Ne besojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë”, ka shtuar ai.
Ai ka rikujtuar se NATO-ja e ka rritur prezencën e misionit të saj në Kosovë, KFOR, për shkak të tensioneve të fundit në veri.
“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë paqen, siç e parasheh mandati ynë”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se forcat e NATO-s do të jenë aty për ta kryer mandatin që e parashohin Kombet e Bashkuara.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është shumë i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe i ka kërkuar NATO-s që përmes KFOR-it të ofrojë siguri për serbët që jetojnë aty.
Sipas tij, Beogradi beson që, ato që i ka cilësuar si veprime të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës, janë arsyeja kryesore e zhvillimeve të fundit.
“Jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë. Ne nuk duam të luajmë lojën e fajit. Kjo po bëhet çdo ditë e më e rrezikshme. Situata në veri të Kosovës, gjithçka që ndodhi është për shkak të qasjes së keqe të autoriteteve të Prishtinës, sepse donin t’i përjashtonin autoritetet serbe.Në të njëjtën kohë ata arrestojnë në mënyra të ndryshme shtetasit serbë dhe i keqtrajtojnë pa marrë parasysh se ku jetojnë. Deri më tani kemi pasur marrëdhënie shumë profesionale me forcat e KFOR-it, shpresojmë se do të të vazhdojë dhe se gjithçka do të realizohet sipas rezolutës 1244”, tha Vuçiç.
Ai edhe një herë i kërkoi Stoltenbergut që NATO të sigurojë siguri për të gjithë serbët në Kosovë.
Vuçiq shtoi se Beogradi dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me NATO-n, të cilat bazohen në përgjegjësi dhe besim.