Interpoli po shqyrton kërkesën e Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës për lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare për presidentin serbo-boshnjak Milorad Dodik dhe për kryetarin e parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandic.
Sipas gazetës serbe “Politika”, urdhërarrestet u iniciuan nga zyra e Interpolit në Sarajevë me arsyetimin se dy zyrtarët e lartë kanë shkelur kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës në bazë të Nenit 156 të Kodit Penal.
Urdhrat raportohet se i janë lëshuar të gjitha shteteve pjesëtare të Interpolit, edhe pse një ditë më parë zyra e Interpolit në Beograd njoftoi se i ka dërguar një notë proteste Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit për të rishikuar qëndrimin.
Kërkesa për urdhërarrestet u njoftua një ditë më parë nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës, ku presidenti Dodik ka refuzuar të shfaqet për t’u pyetur mbi akuzën se ka shkelur kushtetutën e vendit me deklaratat e vazhduara për ta ndarë Republikën Sërpska nga Bosnjë-Hercegovina dhe për t’u bashkuar me Serbinë.
“Nuk ka asgjë të pazakontë. Abuzimi me drejtësinë vazhdon. Bosnja është një shtet i dështuar,” u shpreh të enjten Dodiku për një televizion boshnjak nga Jerusalemi.
Dodiku së fundmi vizitoi Serbinë për një ceremoni me rastin e 26-vjetorit të Operacionit të NATO-s. Ndaj tij është kërkuar një vit burgim dhe largimi nga politika për një periudhë 6-vjeçare. Në 26 mars Policia Kufitare e Bosnjës nisi një hetim për mënyrën si Dodiku ishte lejuar ta kalonte kufirin drejt Serbisë pavarësisht se për të kishte një urdhërarrest aktiv. Pak më vonë, presidenti i Republikës Sërpska po ashtu udhëtoi nga Serbia drejt Izraelit.