Në sistemin doganor shqiptar rezulton të kenë kaluar vetëm 3 ngarkesa tranzit (Durrës-Qafë Thanë) me vend origjine Italinë dhe vend destinacioni Maqedoninë në vitet 2016-2017.
Hashtag.al ka mundur të sigurojë tabelat e deklarimeve ‘Asycuda-Dogana Shqipëri’, ku shfaqen të gjitha ngarkesat e tranzitit të deklaruara vitet e fundit.
Disa ditë më parë gazeta periferike ‘PianetaItalia’ publikoi një artikull ku pretendonte se ngarkesat kishin kaluar nga Italia nëpërmjet Shqipërisë(trazit) dhe sipas gazetës një pjesë e konteinerëve me mbetje kishin mbetur në Shqipëri.
Fabula që ofroi gazeta italiane bazohej në një kontratë pune mes një italiane dhe një impianti përpunues në Maqedoni.
Por të dhënat e sistemit doganor shqiptar, sugjerojnë se nga Italia janë tranzituar vetëm 3 ngarkesa në drejtim të Maqedonisë, me pikë hyrje Porti Durrës dhe pikë dalje Qafë-Thanë.
E para, më datë 19 Korrik 2016, nga Porti i Durrësit drejt Qafë-Thanës, me peshë neto 2.028 ton.
E dyta, më datë 7 Tetor 2016, nga Porti i Durrësit drejt Qafë-Thanës, me peshë neto 26 ton.
E treta, më datë 7 Dhjetor 2016, nga Porti i Durrësit drejt Qafë-Thanës, me peshë neto 3.97 ton.
Në total 3 ngarkesa me peshë afro 32 tonelata të tranzituara me vend origjine Italinë dhe me destinacion Maqedoninë.
Nga ana tjetër, tabelat ‘Asycuda’ të doganave, sugjerojnë se ka pasur disa qindra ngarkesa me vend origjine Shqipërinë(jo tranzit, por origjinë) dhe me vend destinacion Maqedoninë.
Këto janë të dhënat zyrtare të palës shqiptare, por vetëm krahasimi me të dhënat e palës maqedonase do të mbyllte ciklin e verifikimit, të paktën bazuar në dokumentacionin zyrtar.
Një nëpunës shtetëror që ka ndjekur problemin i tha Hashtag.al se pretendimet e portalit italian kanë deformime arbitrare, lehtësisht të verifikueshme.
Por zyrtari shtoi se këto deformime të portalit mund të jenë të qëllimshme, në varësi të burimit që e ka informuar portalin.
“Ne nuk dimë me saktësi se çfarë të dhënash posedon pala maqedonase. Ata nuk janë prononcuar fare për këtë problem. Njëra prej pistave është që portali italian të jetë furnizuar nga pala maqedonase me informacion grackë ose informacion ‘gjysmë të vërtetë’. Pra portali mund të jetë përdorur për të shantazhuar qeverinë shqiptare në distancë, duke i dhënë sinjalin që ‘ta kemi dosjen’.”, – tha zyrtari shtetëror shqiptar. / Hashtag.al