Paraditen e sotme Partia Demokratike denoncoi kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj, që sipas kësaj force politike kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit dënimin me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje.
Por nëse shohim formularin e dekriminalizimit të Malajt, që ndodhet në faqen zyrtare të KQZ-së, ai e ka shënuar dënimin e marrë në 1999-tën, ku specifikon se po ashtu ka pasur një çështje tjetër për shpërdorim detyre, për të cilën ka pasur një vendim të formës së prerë me detyrim paraqitjeje.
Rasti i dënimit të Malajt me 10 vite burg për armëmbajtje pa leje është diskutuar dhe nga KQZ, përpara zgjedhjeve të Qershorit, dhe me një vendim të institucionit u lejua kandidimi i tij për Bashkinë e Matit.
KQZ, në mbledhjen e datës 15.05.2019, njoftoi se Malaj e kishte deklaruar vendimin e dënimit në formularin e tij, dhe në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe në Vendimin e Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, vendosi se dënimi i Malaj për “armëmbajtje pa leje”, nuk përbën kusht për mos regjistrimin si kandidat.
Ndërkohë që sipas PD-së një vendim i tillë i formës së prerë e ndalon kandidatin që të ushtrojë detyra publike.
“Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik. Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje, dhe sipas ligjit për dekriminalizimin, i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik”, deklaroi Gazment Bardhi.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë prokuroria për rastin e Malajt, ndërkohë që duket se kjo çështje do të kërkojë një interpretim të ri ligjor.