“Ju po prisnit një mikëpritje? Ja ku është një kovë me ujë të ftohtë”, kështu e nis Politico.eu shkrimin ku publikohet strategjia e KE-së për Ballkanin.
Një shuplakë e fortë për qeverinë shqiptare, ku ende nuk flitet për një datë të saktë për hapjen e negociatave me BE-në.
Lajme të mira strategjia e re e KE-së nuk ka as për Kosovën, ende e pa njohur nga 5 vende të BE-së nuk përmendet në asnjë rresht të dokumentit si një kandidate e mundshme.
Faxweb.al sjell në shqip artikullin e plotë që vijon si më poshtë:
Strategjia e re e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet mundësinë që dy vende nga rajoni, Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë potencialisht gati për t’u bashkuar me BE deri në vitin 2025. Strategjia gjithashtu ofron mbështetje për katër anëtarë të tjerë të mundshëm nga Ballkani, rajoni që u përfshi nga lufta civile në vitet 1990.
Por kjo strategji ua bën shumë të qartë politikanëve në të gjashtë vendet e Ballkanit, Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi, se do duhet t’a marrin shumë seriozisht luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, vendosjen e shtetit ligjor, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe ndërmarrjen e një sërë ndryshimesh të tjera demokratike.
“Anëtarësimi në BE është shumë më shumë se një proces teknik. Kjo është një zgjedhje e gjeneratës, e bazuar në vlerat themelore, të cilat çdo vend duhet t’i përqafojë, nga politikat e tyre të jashtme dhe rajonale deri në atë që fëmijët mësojnë në shkolla “, thuhet në dokumentin e siguruar nga Politico para miratimit në Komision të martën.
Kjo strategji synon të jetë si një udhërrëfyes pasi Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker sinjalizoi shtatorin e kaluar një hapje të BE-së.
BE kishte ftohur më parë futjen e anëtarëve të rinj në bllok, pas problemeve të vendeve anëtare lidhur me rritjen e emigrantëve që vinin nga vendet e varfëra që kanë hyrë në bllok.
Juncker dhe udhëheqësit e tjerë të BE kanë zgjuar interesin e tyre në Ballkanin Perëndimor, për shkak të shqetësimit rreth rritjes së ndikimit rus, kinez dhe turk.
Kriza e refugjatëve e vitit 2015, kur qindra mijëra emigrantë u futën në Evropën Perëndimore përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi sa rëndësi ka Ballkani për stabilitetin e BE.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor tani kanë një dritare historike, një mundësi për të lidhur me vendosmëri dhe pa ekuivoke të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian. Ata do të duhet të veprojnë me vendosmëri “, thuhet në dokumentin strategjik, që do paraqitet nga shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, komisioneri për zgjerimin.
Juncker do të vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e fundit të shkurtit, me një vizitë zyrtare fillimisht në Shkup, tha për Politico.eu një diplomat i BE-së.
Bullgaria, si vendi i radhës që ka presidencën e BE-së, e ka kaluar si përparësi thellimin e lidhjeve me Ballkanin.
Në Sofie do mbahet një samit i liderëve të BE-së në muajin maj. Në samit do jenë dhe 6 liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë të fundit me POLITICO, ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva tha se takime të tilla duhet të bëhen shumë më të shpeshta, duke theksuar se samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor, është mbajtur në vitin 2003, në Selanik, Greqi.
“Pesëmbëdhjetë vjet është tepër gjatë “, tha Zaharieva, duke sugjeruar një interval me dy vite largësi midis samiteve në të ardhmen.
Zaharieva ka pranuar se pritshmëritë e Ballkanit Perëndimor për BE-në janë shumë të larta, aq sa rrezikohet që blloku të vuajë nëse qytetarëve nuk iu realizohen shpresat për anëtarësim.
Në samitin e vitit 2003, BE-ja ofroi “mbështetje të qartë” anëtarëve të mundshëm të Ballkanit Perëndimor dhe u tha atyre se e ardhmja e tyre ishte brenda Bashkimit Evropian.
Por 15 vjet më vonë, vetëm njëri prej tyre – Kroacia – është bashkuar me bllokun dhe duket se duhen të paktën shtatë vjet para se të shtohen dhe dy anëtarë të tjerë.
“Sigurisht që ka një lloj rreziku të tillë”, tha Zaharieva. “Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të krijojmë pritshmëri që nuk mund t’i përmbushim.”
Zaharieva tha se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë hyrë në BE, dhe për një arsye tjetër.
Sipas saj blloku u përfshi në emergjenca të ndryshme , si eurozona dhe kriza e emigrantëve, por edhe sepse qeveritë rajonale nuk arritën të ndërmarrin reformat e nevojshme.
Strategjia e re e Komisionit ofron mbështetje më të madhe nga BE-ja për rajonin në një sërë fushash, nga dërgimi i këshilltarëve të Europolit për të rritur sigurinë, investimi në ekonomi, deri tek infrastruktura e transportit.
Në 2018, investimi i përgjithshëm i BE në rajon është parashikuar rreth 1.07 miliardë euro, pak më shumë se nga sa është shpenzuar mesatarisht në 10 vitet e fundit.
Por strategjia, e titulluar “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit dhe angazhim më i madh i BE-së me Ballkanin Perëndimor”, përshkruan gjendjen aktuale të anëtarëve të ardhshëm të BE-së, duke deklaruar se leva e pushtetit në të gjashtë vendet në jo pak raste janë duart e rrjeteve kriminale dhe klanet politike.
“Sot, këto vende tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një ngatërrim të fortë të interesave publike dhe private”, thuhet në dokumentin ku përfshihet dhe Shqipëria.
“Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor tani nuk mund të konsiderohet si një ekonomi tregu funksionale,” thuhet më tej në strategji.
Pilula e hidhur
Megjithëse Serbia dhe Mali i Zi janë identifikuar si kandidatët kryesorë për anëtarësim nga Komisioni, dokumenti thotë se data 2025 është “jashtëzakonisht ambicioz”.
Kjo do të thotë qartë se Beogradi në veçanti, duhet të gëlltis disa pilula të hidhura gjatë rrugës për në Bruksel.
Serbia, para se të mund të bashkohet me BE, specifikon strategjia, duhet të përfundojë dhe zbatojë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, territorin shqiptar që shpalli pavarësinë nga Serbia 10 vjet më pare.
Në strategji thuhet se anëtarët e mundshëm duhet të demonstrojnë një politikë unanime me BE-në, një sinjal i koduar për Beogradin, se nuk mund të vazhdojë të ndjekë marrëdhënie të tilla të ngushta me Rusinë, , ashtu siç është duke bërë në këtë moment.
Por strategjia do zhgënjejë Kosovën, e cila nuk njihet nga pesë anëtarë të BE-së, dhe nuk përmendet në në asnjë moment si një kandidat i mundshëm për anëtarësimin në BE.
Serbia dhe Mali i Zi, nga ana tjetër, tashmë kanë filluar negociatat për anëtarësim dhe Komisioni thotë se është gati të rekomandojë nisjen e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nëse këto dy vende do përmbushin disa kushte të caktuara.
Bosnja dhe Hercegovina “mund të” bëhet një kandidate për anëtarësim, thotë dokumenti.
I shqetësuar nga një mosmarrëveshje afatgjatë midis anëtarëve të BE-së, Sllovenia dhe Kroacia, strategjia thotë se të gjitha mosmarrëveshjet e tilla duhet të zgjidhen tani përpara se vendet të mund të bashkohen me bllokun.
“BE nuk do të pranojë të importojë këto mosmarrëveshje dhe paqëndrueshmëritë që ato mund të sjellin,” thotë dokumenti.”Zgjidhjet përfundimtare dhe detyruese duhet të gjenden dhe zbatohen para se një vend të aderojë”.
Burimi: Politico.eu
Përshtati në shqip: Fjola Graçi-Faxweb.al