Prej dy ditësh në media ka bërë jehonë mundësia e falsifikimit të dokumentit të Prokurorisë së Catanias nga ana e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Vetë ai ka vendosur që të heshtë dhe me çështjen është marrë vetëm avokati i tij Maks Haxhia.
Haxhia ka qenë dhe në lidhje telefonike me disa nga studio televizive në vend për të sqaruar opsionin e tij të së vërtetës. Mirëpo për Kastriot Myftarajn nuk ka dyshime. Është vetë Haxhia ai që ka falsifikuar dokumentin e Tahirit dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësinë e tij.
Ai thotë se Maks Haxhia guxon që të falsifikojë një document pasi e di që nuk do të preket nga ana e Prokurorisë shqiptare.
REAGIMI I PLOTË I KASTRIOT MYFTARAJT:
Avokat Maksim Haxhia si provë e mafies perfekte
Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë Maksim Haxhia doli dhe mori përsipër një dokument qartësisht të rremë (pa emër nënshkruesi, pa të dhënat protokollore), të paraqitur si shkresë e lëshuar nga kancelaria e Prokurorisë së Katania-s në Itali, për llogari të Saimir Tahirit, i cili më herët e kishte nxjerrë dokumentin para kamerave televizive.
Dokumenti qartësisht është falsifikuar në zyrën e Maksim Haxhisë, gjë që e kupton jo më avokati më i dobët në Shqipëri, por edhe studenti më i dobët i një fakulteti juridik në Shqipëri. Prokuroria e Shtetit Shqiptar duhet të kishte nisur tashmë një çështje penale kryesisht dhe t’ i kërkonte Avokat Haxhisë dokumentin e paraqitur për shkak se ekziston më shumë se dyshimi i arsyeshëm për falsifikim dokumenti dhe këtu ligji shqiptar nuk bën dallim nëse janë falsifikuar dokumente të shtetit shqiptar ose të një shteti të huaj.
Nëse Prokuroria e Shtetit Shqiptar do ta kishte bërë këtë, dhe do t’ i kishte kërkuar Haxhisë emrin e nënshkruesit të dokumentit, do të kishte zbuluar shumë lehtë falsifikimin, pasi Haxhia nuk jepte dot asnjë emër dhe do të rezultonte që edhe nënshkrimi ishte i rremë. Avokat Haxhia guxoi ta bëjë këtë falsifikim sepse ai kishte garanci që Prokuroria nuk do të merret me të.
Dhe këtu zbulohet ekzistenca në Shqipëri e asaj që unë e quaj Mafia Perfekte, mafia që nuk përbëhet veç nga njerëz si Habilajt apo edhe Saimir Tahiri, por që ka në strukturën e vet edhe Kryetarin e Dhomës së Avokatisë, edhe Prokurorinë, e nënkuptohet edhe Gjykatën.
Te vetëbesimi arrogant i Maks Haxhisë se Prokuroria nuk do të merret me të, zbulohet dhe çelësi i suksesit të Maksim Haxhisë si avokat i çështjeve të bujshme. Ai nuk është gjë tjetër veçse një sekser mes të pandehurve nga njëra anë dhe prokurorëve e gjyqtarëve nga ana tjetër. Dhe këtu lind pyetja: Sa dokumente të tilla të rreme ka çuar në Prokurori dhe Gjykatë Studioja e tij e famshme ligjore.
Dokumenti i rremë që mori përsipër Haxhia ka po atë vlerë provuese që ka artikulli i tij elegjiak në shtyp në 1999 kur u vra asistenti i tij, narkotrafikanti, Denis Gina, artikull ku vajtonte për të si mik e bashkëpunëtor. A thua Maksi vajton ende që u vonua atë ditë në takimin me Denisin të cilin e kishte kërkuar vetë?/Kastriot Myftaraj
(E.K/FAXWEB)