Pas takimeve që ka pasur me liderët e partive politike në vend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim për formimin e një qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Për ta bërë këtë, sot gjatë ditës ai ia ka nisur dy letra shefit të Qeverisë në detyrë e kreut të LVV-së, Albin Kurti.
Thaçi ka kërkuar nga Kurti që të propozojë një kandidat të ri që mund të mandatohet për kryeministër në Kuvend të Kosovës, derisa, tutje, e njofton kreun e LVV-së se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës për formimin e qeverisë.
Në letrën tjetër, ndërkaq, Thaçi e ka falënderuar Kurtin për letrat që i ka nisur dje, duke thënë se ishte kënaqësi që janë takuar dje.
Më poshtë dy letrat e Thaçit drejtuar Kurtit që i ka siguruar Express.
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka reaguar pas letrës që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur te shefi i LVV’së, Albin Kurti të cilit i ka kërkuar një emër të ri që do të mandatohet për kryeministër.
Kollcaku ka shkruar në Facebook se është duke u bërë grabitje e pushtetit në kundërshtim me Kushtetutën.
Ajo thotë se pastaj do të bëhet legalizim i i veprimit antikushtetues përmes ndërrimit të Kushtetutës.