Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video me përmbledhje nga takimet e kreut të PD Lulzim Basha me biznesmenët, ditët e fundit, të cilët u ankuan se nuk kishin marrë “pagë lufte”.
Në një video të publikuar në Facebook, Rama ka nxjerrë me emrat e të punësuarve të këtyre bizneseve që kanë përfituar mga paketat ekonomike të qeverisëm ndërkohë që ata në të kundërt pretendonin se nuk kishin marrë asnjë mbështetje nga qeveria. Ndërkohë në video thuhet se rreth 250 mijë shqiptarë kanë përfituar nga “pagat e luftës”, ku pjesa më e madhe e tyre kanë përfituar ndihmën prej 40 mijë lekësh të reja.
Por pronari Fredi Merlika i “Merlika Group” një biznes fason ka dalë si “mashtrues” sot në videon e kryeministrit Rama.
Pasi ai në një takim me kreun e PD Lulzim Basha, ai ka thënë se nuk e ka marrë pagën e luftës për punëtorët e tij, por në listën e publikuar nga Rama del se ata e kanë marrë të gjithë, konkretisht 13 punonjës e kanë marrë më datë 15 maj dhe 109 të tjerë më datë 8 qershor.
Pronari i fasonerisë thotë se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kohës dhe është futur në një kontekst të gabuar për t’i prishur imazhin.
Ai pranon që të gjithë punonjësit e kanë marrë pagën e luftës por thotë se kur ka takuar Bashën dhe ka bërë atë deklaratë, pagën e luftës e kishin marrë vetëm 13 punonjës, ndërsa 109 të tjerëve, u ishte refuzuar kërkesa.
“Po është e vërtetë, unë nuk e mohoj që punonjësit e kanë marrë pagën por kur unë kam bërë atë deklaratë për Bashën, data ka qenë 27 maj dhe atëhere morën pagat vetëm 13 veta ndërsa për 109 të tjerët më erdhi përgjigje negative nga Tatimet”, thotë Merlika, i cili na vë në në dispozicion edhe një ankesë që ka bërë pranë Tatimeve që më datë 16 maj.
“Nuk mund të quhem mashtrues për një deklaratë që e kam bërë para se të kalonin pagat e punëtorëve. Kam bërë ankesa të protokolluara te Tatim-Taksat për pagat e refuzuara të punëtorëve. Ku është mashtrimi këtu? Unë ato paga nuk i doja për vete por për punonjësit. Faleminderit qeverisë që ia kaloi pagat e luftës por e theksoj, kur unë bëra deklaratën, punonjësit nuk kishin marrë asgjë”, shprehet pronari i fasonerisë.