Monedha e gjelbër po kalon një periudhë të dobët në tregjet ndërkombëtare, gjë që është reflektuar edhe në vend. Dollari ka vijuar të zhvlerësohet edhe gjatë ditës së sotme, duke u këmbyer me 108.28 lekë, me 0.8 lekë më pak se një ditë më parë. Ky ishte një rekord i ri i ulët, duke zbritur poshtë nivelit të këmbimit prej 109 lekësh. Dollari këmbehej për herë të fundit në këto nivele këmbimi në shtator të 2014-s.
Prej fillimit të vitit, monedha e gjelbër është nënçmuar me gati 3 lekë. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, dollari këmbehej mbi nivelin e 128 lekë.
Monedha euro shënoi rritje në tregjet ndërkombëtare. Ajo avancoi kundrejt dollarit amerikan duke u këmbyer me 1.2315 euro për dollarë amerikanë.
Euro ka vijuar stabël në tregun vendas, duke u këmbyer sot me 133.57 lekë. Sipas ekspertëve të tregut, tradicionalisht euro forcohet gjatë janarit. Megjithatë në muajin e parë të vitit 2018, euro edhe pse u forcua, nuk mundi të kapërcente pragun prej 134 lekëve.
Dollari i dobët. Politikë e Uashingtonit?
Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Steven Mnuchin ka thyer traditën duke deklaruar se dollari i dobësuar është mirë për tregtinë amerikane, koment i cili ka ndezur spekulantët e tregut se Uashingtoni po kërkon që të dobësojë monedhën vendase për të nxitur ekonominë.
Dobësimi i dollarit në javët e fundit, Sekretari i Thesarit tha: Dollari është një prej tregjeve më likuide. Luhatjet në afat të shkurtër nuk përben shqetësim për ne. “Dollari i dobësuar është më mirë për ne, për sa i përket marrëdhënieve tregtare. Në afatgjatë, forcimi i dollarit është një reflektim i forcimit të ekonomisë amerikane” shtoi ai për Financial Times./monitor