Vetëm pak minuta më parë ka nisur një takim tre palësh mes ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si dhe Kryeministrit Edi Rama në godinën e Kryeministrisë. Kanë qenë ambasadori Lu dhe ministri Sajmir Tahiri që kanë mbërritur në Kryeministri për të takuar shefin e qeverisë.
Pjesë e takimit ka qenë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko si dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri Arben Ahmetaj dhe Ermonela Felaj. Po kështu në këtë takim ishte i pranishëm edhe zv/kryeministri Niko Peleshi. Ky takim zgjati përreth 40 minuta.
Situata politike, reforma zgjedhore e sidomos ajo në drejtësi mund të ishin çështjet kryesore të diskutimit. Nuk dihet nëse temë e takimit ishte edhe përplasja në distancë mes ambasadorit amerikan dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Sipas një portali online mësohet se ndër të tjera ka patur një takim mes kryeministrit, Edi Rama, ambasadorit amerikan Donald Lu, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si edhe me këshilltarin e kryeministrit për çështjet e sigurisë, Sandër Lleshi”.Ky takim ka patur në fokus luftën kundër terrorizmit.
Ndërkohë të njëjtat burime saktësojnë se prania e zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit në Kryeministri ka patur lidhje me një tjetër aktivitet që zhvillohet në godinën qeveritare. Bëhet fjalë pikërisht për mbledhjen e Komitetit për bashkërendimin e punës për luftën kundër pastrimit të parave, aktivitet ku marrin pjesë Kryeprokurori Adriatik Llalla, Drejtori i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, ministrat Arben Ahmetaj, Ditmir Bushati, Ermonela Felaj dhe Mimi Kodheli si edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin. (J.V/Shuplaka)
Discussion about this post