Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti planet e tij për rindërtimin dhe zhvillimin e Rripit të Gazës, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të SHBA-së. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka argumentuar se kjo do të sillte stabilitet në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, por duke theksuar se administrata e tij nuk do të nxitohet në këtë drejtim.
“Mendoni (Gazën) si një sit të madh pronash të paluajtshme, dhe Shtetet e Bashkuara do ta marrin përsipër dhe do ta zhvillojnë atë ngadalë, shumë ngadalë, ne nuk jemi me nxitim.
“Ne do të sjellim stabilitet në Lindjen e Mesme”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, duke përsëritur një plan që ai zbuloi javën e kaluar gjatë një vizite në Uashington nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Duke folur për situatën në Gaza, Trump e quajti territorin e shkatërruar nga lufta “një vend shkatërrimi”. “Do të rikuperohet. Do të rrafshohet, rregullohet. Nuk do të ketë njeri. Hamasi nuk do të jetë aty. Ne do të ndërtojmë vende të tjera shumë të pasura në Lindjen e Mesme, të cilat do të krijojnë disa vende të bukura për popullin palestinez për të jetuar”, tha ai.
“Ata do të jetojnë në harmoni dhe paqe, relativisht, për herë të parë në qindra vjet”, deklaroi presidenti amerikan ndër të tjera. Trump gjithashtu përsëriti mbështetjen e tij për rivendosjen e palestinezëve jashtë Gazës, në Egjipt dhe Jordani, pavarësisht se të dy vendet përsëritën kundërshtimin e tyre kategorik ndaj një plani të tillë.