Administrata e Donald Trump ka shpalosur zhvillime të reja lidhur me politikën e tarifave dhe taksave, duke paralajmëruar ulje të mundshme të tarifave për Kinën dhe një rritje të mundshme të taksave për amerikanët më të pasur.
Në një deklaratë të fundit, Trump shprehu mbështetje për uljen e tarifave për Kinën deri në 50%, pas një periudhe të gjatë tensioni tregtar.
Pavarësisht se fillimisht ishte folur për tarifa deri në 80% ndaj Kinës, mediat amerikane cituan burime të informuara që sugjeruan një ulje shumë më të madhe, duke e ulur nivelin e tarifave nën 60%, ose ndoshta deri në 50%.
Ky veprim do të shënonte një hap të parë të mundshëm për të hapur rrugën e një marrëveshjeje tregtare më të favorshme, me shpresën për një ulje reciproke të tarifave nga Kina.
Ndërkohë, Trump hapi mundësinë për rritjen e taksave për amerikanët më të pasur, duke thyer kështu një nga parimet tradicionale të Partisë Republikane, e cila ka qenë e angazhuar për uljen e taksave.
Në një koment për median, Trump tha: “Republikanët ndoshta nuk duhet ta bëjnë, por unë jam dakord që ata ta bëjnë”.
Ai shtoi se kjo çështje do të jetë në duar të Kongresit, duke lënë vend për debate dhe vendime të mëtejshme në legjislativin amerikan.
Në këtë kontekst, zhvillimet e fundit shënojnë një ndryshim të mundshëm në politikën fiskale dhe tregtare të administratës Trump, me ndikim të gjerë në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare dhe politikën e brendshme të SHBA.