Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon të kufizojë fondet publike për NPR dhe PBS, dy organizata të pavarura të gazetarisë publike.
”Urdhri ekzekutiv u nënshkrua nga presidenti pas dyerve të mbyllura në bordin e ‘Air Force One’ dhe u njoftua nga Shtëpia e Bardhë rreth mesnatës”, raporton ”Politico”.
Dokumenti pretendon se radioja publike, NPR dhe televizioni lokal, PBS prodhojnë lajme të njëanshme dhe i bën thirrje Korporatës për Transmetimet Publike, një kompani private të cilës Kongresi i ndan më shumë se 500 milionë dollarë çdo vit, që të “anulojë financimin ekzistues të drejtpërdrejtë në masën më të plotë të lejuar nga ligji dhe… të refuzojë të ofrojë fonde të ardhshme për këto organizata lajmesh”.
Sipas vlerësimeve të medias, më shumë se 40 milionë amerikanë dëgjojnë radion publike NPR çdo javë dhe 36 milionë shikojnë televizionin lokal PBS çdo muaj.
Drejtoresha ekzekutive e NPR-së, Katherine Maher, vlerësoi në mars se stacioni do të merrte rreth 120 milionë dollarë nga CPB në vitin 2025, “më pak se 5,0 për qind e buxhetit të tij”.
Kjo dëshirë e administratës amerikane është pjesë e angazhimit të saj për të ulur në mënyrë drastike shpenzimet publike edhe në media dhe kjo ka përfshirë angazhimin e saj për të çmontuar sistemin e transmetimit publik të jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe stacionet e saj radiofonike si ”Zëri i Amerikës”, Radio Azia e Lirë dhe Radio Evropa e Lirë.
Organizata joqeveritare franceze ”Reporterët pa kufij” denoncoi sot një përkeqësim shqetësues të lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara.