Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me dorëheqjen e Luan Ramës nga LSI duke u shprehur se ai pavarësisht se hoqi dorë nga detyrat e tij partiake nuk ka asnjë përgjegjësi politike për humbjen e mandatit në Vlorë.
Manjani thekson në shkrimin e tij se Luan Rama u cilësua tradhëtar dy javë para votimeve dhe u bë thirrje publike për të mos e votuar e nuk kishte si të pritej që ai të merrte mandatin.
Ai e përfundon shkrimin e tij duke i hequr të gjithë përgjegjësitë Ramës për humbjen dhe se ai nuk ka pse të shpjegohet gjatë për dorëheqjen pasi është i tradhëtuar nga vetë partia e tij.
Kujtojme se Luan Rama, nënkryetari i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim ka njoftuar sot dorëheqjen nga të gjitha postet që mbanë në LSI. Ai ka deklaruar se merr përgjegjësinë për humbjen në qarkun e Vlorës dhe për rrjedhojë ka vendosur të largohet nga të gjitha funksionet partiake.
Postimi i plotë:
Luan Rama, pavarësisht arësyeve që parashtron në dorëheqjen së Tij nga detyrat partiake, NUK KA ASNJË PËRGJEGJËSI politike për humbjen e mandatit të LSI në Vlorë.
Në parim shqiptarët në zgjedhjet e fundit gjykuan LSI, jo kandidatët e saj.
E çfarë gjykimi, pa!?
Në Vlorë, ekuacioni u bë edhe më i vështirë kur 2 javë para ditës së votimit Luani u shpall “tradhëtar”!!!!
Se kë e çfarë tradhëtoi Luani një dreq e di!? Them dreq se nuk dua të ngatërroj zotin me këto punë…
Të shpallesh armik para votimit, të dilet në thirrje publike “mos votoni Luanin” dhe, të mendosh të marrësh dhe mandat këtë vetëm një politikë e çakërdisur e bën!☹️
Ndaj them se Luani nuk ka asnjë përgjegjësi.
Ai nuk është vlonjat dhe e nuk mori votat e shokëve të lagjes, që të jetë përgjegjës. Ai shkoi atje si përfaqësues politik dhe u shpall armik nga partia e tij, mu para votimit. LSI bënte thirrje të votohej nr. 2 i listës…
Ja, kaq e thjeshtë është!
Nga ana tjetër, Luani s’ka përse spjegohet gjatë për dorëheqjen e Tij, sepse ai nuk është i dorëhequr, por i tradhëtuar!
I tradhëtuar, por edhe i dënuar për tradhëti…