Në një konferencë të gjatë, por jo aq të gjatë sa e kryeministrit Rama ku Gent Cakaj qe prezent por nuk arriti dot të flasë as dhe një herë të vetme, ky i fundit shpjegoi të gjithë procesin e vendimmarjes se KiE deri në ‘Jo’-në përfundimtare duke i faturuar përgjegjësitë e këtij refuzimi kryesisht mosmarrëveshjeve brenda BE-së.
Por ndërsa ministri i jashtëm ishte në konferencë live me gazetarët, kryeministri maqedonas Zoran Zaev po jepte dorëheqjen po ‘live’ për shkak të mosarritjes së një PO-je nga BE për çeljen zyrtare të negociatave me Maqedoninë.
I pyetur për këtë çështje, ministri i jashtëm i deleguar, Gent Cakaj lëshoi dhe perlën e radhës në mbrojtje të shefit të tij:
“Në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se ky proces (hapja e negociatave) do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme, Unë, kryeministri ose ndonjë përfaqësues i qeverisë nuk ka premtuar se negociatat do hapen. Ne jemi zotuar se do bëjmë përpjekje, por jo për të dhënë përfundimisht rezultatin që kemi pritur.“
Por ministri aktual i jashtëm pavarësisht se u përpoq të artikulonte “se nga janari e këtej kryeministri rama apo unë nuk dimë të kemi dhënë ndonjë garanci që negociatat do të çelen’, harroi festën e madhe që që rreth një vit e gjysmë më parë kryeministri i tij dhe i yni organizoi me lajmin e madh se morëm një datë për çeljen. 4 ambasadorë të jashtëm u dekoruan, u hapën shishet e shampanjës dhe gati-gati e shpallën festë kombëtare.
Postimi i datës 26 qershor 2018 i Ramës:
Gjithashtu ministri ynë i jashtëm i deleguar u përpoq të përgënjeshtronte po ‘live’ motivin e largimit të Zaev:
“Diskutimi për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më i hershëm se dje. Nuk mund t’i ndërlidhni proceset. Ky diskutim nuk ka ardhur si pasojë e vendimit të Këshillit“.
Në fakt e vërteta e cila po ndiqej në dy ekrane të ndara është se Zaev tha se çdo politikan duhet të marrë përgjegjësi para popullit të tij (lexo këtu).