Elton Haxhi, ka dhënë dorëheqjen sot nga posti i tij si zv, ministër i Financave dhe Ekonomisë.
Haxhi është i dyti zv.ministër në këtë dikaster që jep dorëheqjen pas Erion Luçit.
Emri i Haxhit u lakua së tepërmi në media sidomos pas përplasjeve mes kompanisë amerikane International Cruise Duty Free dhe asaj shqiptare ADFD me pronare Elona Caushin për menaxhimin e dyqaneve duty free në aeroportin e Rinasit.
Një leje rinovimi brenda 24 orëve në gusht të vitit të shkuar nga zv.ministri Haxhi për kompaninën në pronësi të bashkëshortes së ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, ndërsa tenderin e kishte fituar kompania amerikane derivoi në një sagë gjyqesh mes ADFD-së dhe MFE-së. Shkak u bë anulimi 1 muaj më pas i lejes së dhënë nga zv. ministri Haxhi.
Për këtë çështje ka reaguar disa herë dhe ambasada amerikane e cila ka ndjekur gjyqet me përfaqësinë e saj duke shprehur zhgënjim për vendimet e gjyqësorit shqiptar.
Pak ditë më parë Gjykata Administrative rrëzoi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë duke i dhënë të drejtë kompanisë ADFD të vijojë aktivitetin e saj në aeroportin e Rinasit. Gjyqtari në fund të seancës u shpreh se pasi të lexojnë zbardhjen e vendimit të tij, të gjithë palët do të kuptojnë se ‘ku fle lepuri’.