Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti u shpreh në protestë se kjo ishte qëndresa e 48-të e opozitës, ndërsa bëri thirrje për bashkim në mënyrë cclirimin e vendit nga kthetrat e korrupsionit.
“Një falënderim për qëndresën tonë të 48-të, një falënderim edhe për artistët e aleancës së teatrit për rezistencën tonë. Një rezistencë nuk bëhet për veten tonë si individë, por bëhet për Tiranën dhe Shqipërinë. Për t’i çliruar nga kthetrat e korrupsionit dhe klientelizmit, nga karriget e uzurpuara. Nga ata që erdhën me votë, por ama karriget po i mbajnë me kriminelat, me milionat e hedhura në zgjedhje. Po i mbajnë në një situatë Shqipërinë, në një situatë tragji-komike. Tragjedinë e jetojnë shqiptarët, sepse Shqipëria është shpopulluar. Mbi 1 milion shqiptarë u larguan. Tragjedinë e jetojnë familjet shqiptare, sesi janë varfëruar e varfërohen dita-ditës. E jeton rinia, e jetojnë studentët. E jetojnë gratë kryefamiljare që nuk ja dalin dot. E jetojnë të sëmurët këtë tragjedi, që nuk gjejnë ilaçe. E jeton biznesi, që vuan e mbyll qepenat sepse nuk ia del dot nga taksat më të larta në rajon.
Dhe komikja ku është?
Komikja është qeveria. E cila del dhe na krenohen për gjoja rritje pensionesh, inekzistente. Apo krenohen sesi Tirana dhe Shqipëria janë betonizuar apo krenohen sesi na vijnë turistë por nuk flenë në Shqipëri. Apo krenohen sesi kanë arritur të ndotin ajrin e Tiranës, të paktën 18 herë më shumë se norma e OBSH. Apo arrijnë të krenohen me paturpësinë më të madhe sesi i zhdukin miliona euro çdo ditë, dhe i thonë shqiptarëve shihni sa të zotë jemi ne dhe sa të pazotë jeni ju.
Këta zonja dhe zotërinj duhet të largohen. Momenti dhe dita po vjen dhe ajo është data 11 maj. Unë jam i bindur që shqiptarët do të votojnë kundër kësaj qeverisje. Kam dy thirrje për familjarët tanë që jetojnë në emigracion.
Regjistrohuni për të fituar të drejtën e votës dhe për të bërë ndryshimin e madh.
Kur t’ju vijë fleta e votimit mendoni pak se kush ishte arsyeja që ju bëri të largoheni nga vendi dhe ndëshkojeni atë.
Mendoni pak për nënën dhe babain që keni lënë në Shqipëri dhe ju i çoni 100 apo 220 euro për të blerë ilaçet në fund të muajit.
Mos votoni si turistë, por votoni sikur të jetoni çdo ditë këtu me ajrin e ndotur, me taksat e larta, pa ilaçe. Shqipërinë e ka futur në gropë të thellë. Të dashur emigrantë, të votojmë e të largojmë keqqeverisjen, Edi Ramën, Ballukun dhe Erion Veliajn”, tha Teliti.