Prokuroria belge kërkon marrjen në pyetje të kryedemokratit Lulzim Basha si person që ka dijeni për ngjarjen që ka të bëjë me skandalin e 3.5 milionë eurove që u gjetën në Toyota Yarisin në portin e Durrës. Kjo kërkesë vjen në Shqipëri, pasi në Belgjikë prej disa muajsh kanë nisur hetime për 12 persona për akuzën e pastrimit të parave.
Letër porosia nga prokuroria belge për Bashën ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërkohë që kjo e fundit ka caktuar seancën e pyetjeve ndaj tij.
Mësohet se belgët kanë adresuar 4 pyetje që do ti bëhen kryedemokratit Basha në lidhje me çështjen.
Personat e proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj. Belgët janë vënë në dijeni në rrugë informale, se i pari që ka dhënë informacion për këtë çështje në sallën e parlamentit Shqiptar, ka qenë deputeti dhe kryetari i PD Lulzim Basha.
Kujtojmë se gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar.
Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
80,000 franga zvicerane.
10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
1 radio policie;
7 telefona celularë.
Discussion about this post