GJKKO ka caktuar datën 30 qershor, ora 10:00, për zhvillimin e seancës së parë në themel për aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Bashkë me Berishën dhe Malltezin, gjykimi do të nisë edhe për bashkëpuntorët e tyre biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustina, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të tria për pastrim parash.
Elsa Ulliri, kryesuese dhe Bib Ndreca e Rudina Palloj janë gjyqtarët që do të gjykojnë dosjen Partizani.
Paralelisht me procesin hetimor SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri, përmes të cilave Malltezi përfitoi të paktën 5.4 milionë euro.