Është fundi i muajit. Llogaria jote bankare është me të kuqe. Por ti ke nevojë për para për të financuar disa shpenzime ekstra. Mendon gjatë dhe në fund e gjen zgjidhjen. Borxhi.
Shkon me vrap në bankë. Në sportel të pret oficerja e kredisë. Ajo nis të të shpjegojë procedurat se si merret overdrafti dhe letrat që duhet të firmosësh.
Duket zgjidhje joshëse. Por sapo hedh firmën, ky është sinjali i parë se jeta jote ka filluar të marrë të tatëpjetën.
Borxhi nuk është asnjëherë i mirë. Por disa lloje borxhi janë edhe më malinjë. Overdrafti dhe kredia konsumatore janë dy nder to.
Kur merr overdraft ose borxh për konsum do të thotë se të ardhurat e tua nuk mjaftojnë më për të financuar shpenzimet e përditshme.
Termi ekzotik, që ekonomistët përdorin për të përshkruar këtë situatë është defiçiti primar.
Për ta thënë shkurt, po jeton përtej mundësive të tua. Kriza financiare nuk është e përkohshme, por strukturore.
Por ajo që duket si zgjidhje, për të kaluar këtë situatë, pra borxhi, vetëm sa e rëndon më keq problemin. Borxhi ka kosto, të cilat rëndojnë edhe më tej gjendjen e vështirë duke rritur hendekun mes të ardhurave dhe shpenzimeve.
Një individ ose familje me defiçit primar ka vetëm dy zgjidhje për të dalë nga kriza. E para është rritja e të ardhurave. Nëse kjo dështon, atëherë i gjithë konsolidimi duhet të bjerë në krahun e shpenzimeve. Të duhet të shkurtosh shpenzimet, ku të mundesh. Por nëse konsumi yt është në nivel mbijetese dhe nuk mund të shkurtosh dot më asgjë, atëherë ekuacioni nuk ka asnjë zgjidhje.
Ëilkins Micaëber, personazhi simpatik në novelën David Copperfield të Charles Dickens ka një shprehje të famshme: “Kur shpenzimet tejkalojnë të ardhurat, rezultati është mjerimi.”
Herën e parë që kam lexuar Dickens, m’u kujtua një episod me gjyshin tim të ndjerë. “Kurrë mos i shpenzo të gjitha ato që fiton – më thoshte.- Mundohu të kursesh qoftë edhe sadopak.”
Gjyshi im nuk kishte doktoraturë në ekonomi. Madje as shkollën e mesme nuk kishte arritur ta bënte sepse ajo ishte Shqipëria e asaj kohe. Por ai më ka mësuar ndoshta një nga leksionet më të rëndësishme të financave. Një leksion të cilin më vonë do ta ndeshja në bankat e universitetit. Mbaji këmbët gjithmonë brenda jorganit. Në të kundërtën, rezultati është mjerim. Dhe overdrafti është hapi i parë drejt gijotinës financiare.